Truri i 11 Shtatorit, të dhëna për shefen e emëruar të CIA-s

schedule22:55 - 9 Maj, 2018

schedule 22:55 - 9 Maj, 2018

Teksa e zgjedhura e Presidentit Trump për drejtimin e CIA-s po has vështirësi për të marrë konfirmimin, personi që njihet si “truri” i sulmeve të 11 Shtatorit ka bërë me dije se ka informacione që kompromentojnë figurën e saj.

Personi i vetëdeklaruar si truri i sulmeve të 11 Shtatorit ka kërkuar leje për të shpërndarë informacionet që zotëron për Gina Haspel, gruaja e zgjedhur nga presidenti Donald Trump për drejtimin e CIA-s.

Khalid Sheikh Mohammed, që aktualisht mbahet në burgun famëkeq të Guantanamos në Kubë, i ka bërë kërkesë gjyqtarit të çështjes së tij nëse mund të publikojë 6 paragrafe me të dhëna mbi Haspel.

Sipas “New York Times”, që ka raportuar lajmin, ende nuk është e qartë nëse kërkesa e tij është pranuar. Mohammed u torturua nga CIA pas arrestimit të tij në vitin 2003.

Emërimi i zonjës Haspel po has kundërshtimin e opozitës për shkak të rolit të saj në menaxhimin e një burgu sekret në Tajlandë ku kryheshin tortura, si ajo që simulon mbytjen me ujë.

Në seancën e parë të konfirmimit, që nisi një ditë më parë, zonja Haspel premtoi se nën lidershipin e saj CIA nuk do të nisë një program të ri torturash dhe qendrash të reja burgimi. Ajo u tha anëtarëve të komisionit të inteligjencës se CIA ka mësuar nga gabimet e së shkuarës.

“Mbështes plotësisht trajtimin e të ndaluarve sipas ligjit dhe premtoj se do ta mbaj CIA-n të fokusuar tek mbledhja e informacionit”, deklaroi Haspel./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!