Sot u shuajt Paolo Rossi, legjenda e futbollit italian. Ish-sulmuesi i famshëm, një nga më të dashurit e tifozëve italianë, humbi betejën me sëmundjen e keqe në moshën 64-vjeçare.
I paharrueshëm viti 1982 për të, pasi ia doli të udhëheqë Italinë drejt fitimit të Kupës së Botës, teksa fitoi edhe “Topin e Artë”. Homazhet do të mbahen në qytetin e Vicenzas ditën e shtunë.
Më pas do të digjet trupi i tij dhe hiri do të jetë gjithmonë pranë familjes. Gruaja e kampionit të madh, Federica Cappelletti ka dhënë një prononcim emocionues, duke zbuluar se çfarë ndodhi në momentet e fundit.
“Është e vështirë pa të, shumë e vështirë. Por më duhet ta përballoj këtë dhimbje, pasi ia premtova. Në momentin që po vdiste nuk donte të largohej… E përqafova fort dhe i thashë: shko, nisu, leje këtë trup, ke bërë shumë madje.
Preferoj ta mendoj si një mirupafshim. Kam marrë telefonata ngushëllimi nga të gjithë anët e botës. Jam konfuze dhe plot dhimbje, nuk po arrij ta përballoj më, më ka shteruar gjithë forca. Nuk e kam të thjeshtë ta përmbledh me pak fjalë se kush ishte Paolo.
Ishte një person unik, nuk e humbiste optimizmin as në momentet e vështira. Paolo ishte një njeri i madh, por edhe modest në të njëjtën kohë. Ai fliste me të njëjtën mënyrë me të gjithë, qofshin krerë shteti apo njerëz që i takonte në supermarket“, deklaron Federica Cappelletti. /abcnews.al