Trupi i pajetë i Alexey Navalny i dorëzohet familjes

schedule16:52 - 24 Shkurt, 2024

schedule 16:52 - 24 Shkurt, 2024

RUSI- Trupi i pajetë i opozitarit dhe kundërshtarit të përbetuar të Vladimir Putin, Alexey Navalny i është dorëzuar nënës së tij, tha të shtunën zëdhënësja e Navalny, Kira Yarmysh.

“Trupi i Alexeit iu dha nënës së tij. Faleminderit shumë të gjithëve që e kërkuan këtë me ne”, ka shkruar ajo në platformën X.

Më tej ajo shtoi se nuk e di nëse autoritetet ruse do të lejojnë mbajtjen e varrimit të tij “në mënyrën se si familja dëshiron dhe në mënyrën se si Alexey e meriton”.

“Lyudmila Ivanovna është ende në Salekhard. Varrimi është ende në pritje. Nuk e dimë nëse autoritetet do të ndërhyjnë për ta realizuar atë siç dëshiron familja dhe siç e meriton Alexey. Ne do t’ju informojmë sapo të ketë diçka”, shkroi zëdhënësja.

Kundërshtari politik më i njohur i Vladimir Putinit vdiq në burg më 16 shkurt, dhe nëna e tij Lyudimila Navalnaya, ka kërkuar prej ditësh nga autoritetet ruse që t’ia dorëzojnë trupin e djalit, raportoi SkyNews.

Navalnaya kishte dhënë ultimatum një ditë më parë, me autoritetet ruse që kishin thënë se djali i saj do të varrosej në koloninë penale ku ai vdiq nëse ajo nuk pranonte brenda tri orësh ta varroste pa ceremoni publike. Familja e Navalnyt dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar presidentin rus për vrasjen e tij – një akuzë të cilën Kremlini e ka mohuar./ abcnews.al