Trupat ukrainase tërhiqen nga Severodonetsk

schedule11:21 - 24 Qershor, 2022

schedule 11:21 - 24 Qershor, 2022

Forcat ukrainase do të duhet të tërhiqen nga Severodonetsk, tha të premten kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk, Serhiy Hayday, duke akuzuar Rusinë për shkatërrimin e shumicës së infrastrukturës së qytetit, sipas CNN.

“Fatkeqësisht, ne do të duhet të tërheqim ushtrinë tonë nga Severodonetsk. Nuk ka kuptim të qëndrosh sepse numri i të vdekurve në territoret e pafortifikuara mund të rritet çdo ditë”, tha Hayday në një fjalim televiziv.

Mbrojtësit tanë, të cilët janë atje, kanë marrë tashmë një komandë për t’u tërhequr në pozicione të reja. Hayday tha se situata në Severodonetsk ishte e paqëndrueshme pas bombardimeve nga forcat ruse gjatë disa muajve.

“E gjithë infrastruktura e qytetit është shkatërruar plotësisht,” tha ai. “Më shumë se 90% e shtëpive  janë bombarduar, dhe rreth 80% e tyre janë shkatërruar plotësisht.”

Hayday tha se Rusia tani po synonte fqinjin Lysychansk nga Zolote dhe Toshkivka, rreth 30 kilometra në jug.

“Ata kanë shënuar sukses në disa zona, por do të jetë e vështirë të marrin në kontroll”, tha ai.

Krerët ushtarakë ukrainas pohojnë ndërkohë që situata në të gjithë zonën e Donbasit, veçanërisht në Severodonetsk dhe Lysychansk, qyteti binjak që ndodhet nga ana tjetër e lumit Siversky Donets, është e vështirë. Kjo zonë po goditet prej ditësh nga një sulm raketor që nuk kursen asgjë.

Sipas analistëve perëndimorë, me shumë mundësi pas kontrollit të këtyre dy qyteteve, lidershipi rus do të ndalojë avancimin të paktën për disa javë, në mënyrë për t’i dhënë frymëmarrje dhe ndërrimin e nevojshëm trupave të tyre, që kanë pësuar humbje domethënëse, si dhe do të përqendrohen në fortifikimin e linjës së kontrolluar, për të parandaluar një kundërsulm ukrainas, i mundësuar edhe nga armatimet e shumta perëndimore që po vërshojnë drejt Kievit.

/abcnews.al