Trupat izraelite janë duke luftuar me radikalët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rafah, në jug të Gazës, ku një sulm me raketa dhe një inkursion izraelit më herët gjatë kësaj jave çuan në mbylljen e pikëkalimeve kufitare, prej ku hyjnë ndihmat e nevojshme humanitare.
Po ashtu beteja janë duke u zhvilluar në zonën Zeitun, në periferi të Qytetit të Gazës, në pjesën veriore të territorit. Gaza veriore ishte caku i parë i ofensivës tokësore dhe Izraeli tha vitin e kaluar se në këtë zonë ka zhdukur pothuajse krejtësisht praninë e Hamasit.
Në një deklaratë të premten, ushtria izraelite tha se ka lokalizuar disa tunele në lindje të Rafahut, afër kufirit me Egjiptin dhe ka eliminuar radikalët “gjatë luftimeve në distancë të afërt dhe përmes sulmeve ajrore”.
Krahu ushtarak i Hamasit tha se ka kryer një sulm të ndërlikuar, duke sulmuar një shtëpi ku trupat e Izraelit kishin zënë pozicion, një autoblindë dhe ushtarë që operonin në këmbë.