NATO-ja njoftoi se 200 ushtarë britanikë kanë mbërritur në Kosovë të premten, për ta përforcuar misionin e saj paqeruajtës Kosovë, KFOR, pas sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit muajin e kaluar dhe rritjes së tensioneve në rajon.
“Zhvendosja e trupave është një hap i matur për t’u siguruar se KFOR-i i ka forcat që i nevojiten për ta përmbushur mandatin e saj të OKB-së për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për ta siguruar lëvijen e lirë për të gjithë njerëzit në Kosovë”, tha NATO-ja në një njoftim për media, shkruan REL.
Britania e Madhe vendosi të dërgojë trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, me kërkesë të komandantit suprem të Aleancës për Evropën, SACEUR, gjeneralit amerikan Chris Cavoli.
Vendimi i NATO-s për shtimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë vjen rreth dy javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në luftimet që pasuan pastaj në manastirin e fshatit u vranë tre sulmues serbë.
Policia e Kosovës e gjeti dhe e konfiskoi një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në Banjskë dhe përreth në ditët pas sulmit.