Trupat amerikane në Poloni dhe rreziku i një përplasje me Rusinë

schedule16:00 - 11 Mars, 2022

schedule 16:00 - 11 Mars, 2022

Trupat amerikane janë dislokuar në pyjet e Polonisë lindore, vetëm pak kilometra nga kufiri me Ukrainën. Ato gjenden jo shumë larg zonave që ishin objektiv i sulmeve të fundit ajrore ruse në Ukrainën perëndimore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga fshati polak Arlamov në kufi me Ukrainën, nëse NATO-ja përfshihet në luftë, trupat amerikane mund të bëhen objektiv i sulmeve ruse.

Trupat e Divizionit të 82 të këmbësorisë amerikane, të specializuara për t’u dislokuar nga ajri, marshojnë në pyet Arlamov në malet Karpate të Polonisë. Kontigjenti është pjesë e një dislokimi më të gjerë, prej 5 mijë trupash amerikane, të dërguara në Poloni javët e fundit. Më parë atje ishin dërguar 4 mijë trupa të tjera amerikane.

NATO-ja po dërgon mesazhin e qartë, se do të mbrojë “çdo pëllëmbë” të territorit të aleancës.

Kufiri ukrainas është vetëm disa qindra metra larg. Ndërsa mijëra trupa amerikane stërviten në pyjet polake, Rusia ka kryer sulme ajrore mbi objektivat ukrainase pranë kufirit.

Ekziston frika në rritje për një ballafaqim aksidental mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Për shmangjen e një situate të tillë është krijuar një linjë komunikimi.

Po ashtu ekziston droja se trupat e NATO-s në Evropën Lindore mund të vihen në shënjestër në rast të një përshkallëzimi. Muajin e kaluar Presidenti Putin rriti nivelin e gatishmërisë së forcave bërthamore ruse, në përgjigje të atyre që i cilësoi si “deklarata agresive” të NATO-s.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Constanze Stelzenmüller me Institutin Brookings, thotë se situata në lindje është e paqartë dhe mund të bëhet tejet e rrezikshme.

“NATO-ja thotë se nuk do të ndërhyjë në territorin ukrainas, por armët perëndimore gjithnjë e më shumë po futen në Ukrainë përmes vendeve anëtare të NATO-s. Putini mund ta cilësojë një mbështetje të tillë si ushtarake, për të cilën, duhet thënë nga ana jonë, se nuk ka qënë e kontrolluar, apo e shoqëruar me mesazhe të kujdesshme, pra ai mund ta konsiderojë atë si si përfshirje të NATO-s në luftë. Me fjalë të tjera, debati në një farë mase tani është nëse Putini do të ishte i gatshëm të përdorë armë taktike bërthamore kundër forcave të NATO-s në territorin e aleancës. Kjo do të ishte një botë e re.”

Aleanca nuk duhet ta lërë Presidentin Putin të bëjë shantazh bërthamor, thotë për Zërin e Amerikës Fabrice Pothier, dikur kryesues i planifikimit të politikave të NATO-s.

“Çfarë do ta ndalojë Putinin për të bërë të njëjtën gjë herën tjetër, ndoshta edhe kundër një aleati të NATO-s?”

NATO-ja ka thënë vazhdimisht se nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në konflikt. Zoti Pothier thotë se aleanca duhet të bëjë më shumë.

“Më duket se nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm nga rreziku i të mos-bërit asgjë. Historia e kohëve të fundit na mëson se në fakt rreziku për të qëndruar mënjanë, duke pretenduar se do t’i mbrojmë aleatët e NATO-s, por misioni ynë ndalet në kufirin e anëtarëve të NATO-s, ky qëndrim mendoj se nuk është më i pranueshëm.”

Kufiri i Ukrainës me Poloninë është bërë porta kryesore për refugjatët që largohen nga konflikti. Por po bëhet gjithashtu një kufi strategjik kyç, një kanal për armët e NATO-s që shkojnë në Ukrainë, dhe një pikë e mundshme konflikti në të ardhmen.

Për dekada, Ukraina ka shërbyer si një zonë ndarëse midis NATO-s dhe Rusisë. Por nëse Kremlini e merr të gjithë Ukrainën, nuk ka shumë hapësirë për të ndarë trupat e NATO-s dhe ushtarët rusë. Aty nuk ka mur kufitar, vetëm male dhe pyje./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!