“Trum’plomacia”/A e ka bërë presidenti amerikan botën më të rrezikshme?

schedule15:41 - 17 Janar, 2018

schedule 15:41 - 17 Janar, 2018

Një analizë e BBC-së vlerëson se një vit nga marrja e detyrës, presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka bërë botën më të rrezikshme; ndërsa i njeh atij meritën e pakontestueshme të asgjësimit të Shtetit Islamik.

Bota është bërë një vend më pak i sigurt që kur presidenti amerikan Donald Trump shpalli dekretin e tij “Amerika e Para”, me një gjuhë që alarmoi aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe intrigoi kundërshtarët. Por a është bërë bota më e rrezikshme? Sipas një analize të BBC, një gjë e tillë nuk është e vërtetë nëse shohim se çfarë ka ndodhur kur po bëhet një vit nga marrja e presidencës nga miliarderi i pasurive të patundshme. Trump mund të ketë ngjallur frikë dhe nxitur kaos me postimet e tij në Tëitter, thotë gazetarja Barbara Plett Usher, por ai nuk ka goditur aleancat që më parë kishte vënë në dyshim. Gjithashtu, ai nuk ka nisur ndonjë luftë të re dhe nuk ka ndjekur skenarin e parardhësit të tij Barack Obama. Ndaj, teksa ka bërë që themelet të lëkunden, ai nuk ka shembur asgjë, vijon analiza. Por a e ka afruar ky president, i njohur për taktikat e tij joortodokse, njerëzimin pranë një krize të re globale? Që kur mori në dorë frerët e Shtëpisë së Bardhë, Shteti Islamik po shkon drejt zhdukjes dhe ata anëtarë të grupit që kanë mbetur janë në arrati. Organizata ka ende anëtarë aktivë të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, por “qendra nervore” e saj është goditur dhe kërcënimet e saj nuk kanë fuqinë e dikurshme. Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se Trump thjesht përfundoi fushatën e nisur nga Obama, por, sipas analizës, nuk mund të mohojë që ai e përshpejtoi procesin dhe u dha më shumë kompetenca krerëve ushtarakë për ta menaxhuar atë. “Kjo pati një impakt shumë më të madh”, thotë Brett McGurk, i dërguari i posaçëm për koalicionin global kundër ISIS, i cili ka punuar me të dy presidentët. Sido që të jetë, mposhtja e kalifatit ndodhi gjatë mandatit të Trump dhe pa dyshim, ky është suksesi i tij më i madh në politikën e jashtme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!