Presidenti amerikan Donald Trump është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të hakmerren, pasi dy ushtarë dhe një civil amerikan u vranë në një sulm të Shtetit Islamik në Siri.
“Ne vajtojmë humbjen e tre patriotëve të mëdhenj në Siri. Ishte një pritë e tmerrshme. Kemi edhe tre të plagosur. Do ta shihni. Ne do të hakmerremi”, tha Trump.
Presidenti amerikan u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ishte i shkatërruar nga ajo që ndodhi dhe theksoi se Siria po luftonte përkrah trupave amerikane.
Muajin e kaluar, gjatë vizitës në Washington të al-Sharaa, Damasku iu bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS.
Dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes u vranë të shtunën në Siri nga militantët e grupit ekstremist të ISIS ndërsa po mbështesnin operacione kundër terrorizmit në këtë shtet.
Sulmi ndaj trupave amerikane në Siri ishte i pari me viktima që nga rënia e Presidentit Bashar Assad një vit më parë.
Dy ushtarët Amerikanë dhe përkthyesi i tyre u vra në zonën e shkretëtirës së Palmirës nga një person qe hapi zjarr ndaj një patrulle të përbashkët të forcave amerikane dhe siriane në këtë zone.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut deklaroi se vizita e delegacionit amerikan në Palmirë është pjesë e një strategjie të Shteteve të Bashkuara për të zgjeruar praninë e tyre në Siri, veçanërisht në zonat e shkretëtirës./abcnews.al

