Donald Trump ka emëruar Scott Bessent për të udhëhequr Departamentin e Thesarit të SHBA-së, një post me mbikëqyrje të gjerë të politikës tatimore, borxhit publik, financave ndërkombëtare dhe sanksioneve.
Sipas Trump, Bessent “do të më ndihmojë të hap një epokë të re të artë për Shtetet e Bashkuara”.
Bessent, një financier i Wall Street, i cili dikur ka punuar për George Soros, ishte një mbështetës i hershëm i kandidaturës së Trump për vitin 2024. Bessent aktualisht shërben si shef ekzekutiv dhe shef i investimeve në fondin mbrojtës Key Square Capital Management, të cilin ai e themeloi në 2015.
Para kësaj, ai ishte drejtor i investimeve në Soros Fund Management, i krijuar nga George Soros.
Nëse konfirmohet nga Senati, ditët e para të Bessent në punë mund të jenë edhe më sfiduese se zakonisht pasi do të duhet të përballet me presion për të adresuar kufirin e borxhit federal, dispozitat që skadojnë të paketës së republikanëve për uljen e taksave për vitin 2017 dhe premtimet e fushatës së Trump.
Nëse konfirmohet, Bessent do të ishte personi i parë homoseksual që mban këtë post, si dhe anëtari i parë LGBTQ i kabinetit në një administratë republikane. Në vitin 2021, Sekretari i Transportit i administratës Biden, Pete Buttigieg u bë anëtari i parë homoseksual i kabinetit i konfirmuar nga Senati.
Trump njoftoi gjithashtu emërimin e Russell Thurlow Vought në postin e Drejtorit të Zyrës së Menaxhimit të Buxhetit dhe ish-ligjvënësen Lori Chavez-DeRemer në postin e Sekretares së Departamentit të Punës.
Presidenti i zgjedhur Trump gjithashtu njoftoi emërimin e ish trajnerit të disa ekipeve të futbollit amerikan, Scott Turner në postin e Sekretarit të Strehimit dhe Zhvillimit Urban dhe ish-zyrtarin e Departamentit të Shtetit Alex Wong në postin e zëvendës këshilltarit të sigurisë kombëtare./abcnews.al