Trump Vs Sanders, Senatori demokrat sfidon Presidentin

schedule12:38 - 3 Mars, 2019

schedule 12:38 - 3 Mars, 2019

Senatori demokrat Berni Sanders i ka shpallur luftë presidentit Donald Trump. Në dy mitingje paralele, Trump ka shprehur bindjen se do të fitojë sërish në 2020-n, ndërsa Sanders ka deklaruar se do të mundë presidentin më të rrezikshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Në takimin më të madh të konservatorëve amerikanë, i mbajtur në Merilend, presidenti Donald Trump është shprehur i bindur se do të fitojë sërish në zgjedhjet presidenciale të 2020-s. “Do të fitoj sërish dhe madje me thellë se në vitin 2016”, ka deklaruar Trump. Por ndërsa miliarderi i pasurive të patundshme mbante fjalimin më të gjatë të mbajtur ndonjëherë gjatë presidencës së tij, në Bruklin të Nju Jorkut, senatori Berni Sanders i shpalli atij luftë.

“Do të fitoj zgjedhjet e demokratëve dhe më pas do të mund Donald Trump, presidentin më të rrezikshëm në historinë moderne të Amerikës”, tha Sanders, që shpall kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë. Në fjalimin e tij, senatori demokrat ritheksoi angazhimin për drejtësi ekonomike dhe sociale.

“Parimet e qeverisjes sonë do të bazohen tek drejtësia dhe jo tek racizmi dhe mungesa e tolerancës”, theksoi Sanders.

Por për Trump, Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë kurrë një vend socialist. “E ardhmja në vendin tonë nuk ka kufij”, shtoi Trump. Më tej presidenti e cilësoi si “shumë produktiv” takimin me liderin koreano-verior Kim Jong Un, që u mbyll papritur dhe pa një marrëveshje dhe shpërtheu me një lum kritikash ndaj skeptikëve.

“Unë u zgjodha si një president jashtë linjave dhe nëse nuk dalim jashtë linjave, atëherë vendi ynë do të ketë telashe të mëdha, miqtë e mi”, deklaroi Trump. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!