I pati të gjitha. Kupa e Kombeve të Afrikës ka dhënë shumë finale, veçse kjo e mbrëmjes së fundit do të mbahet mend gjatë.
Senegali ia doli të shpallej kampion I kontinentit pas fitores 1-0 ndaj Marokut vendas, dhe në betejën e Rabatit u shënua një gol, u humb një penallti në mënyrë dramatike, u shpërdoruan raste e u luajt fort, si dhe pati një braktisje të fushës që zgjati 17 minuta, por që pati fund të lumtur.
Dy ekipet më të mirë të Afrikës në renditjen e FIFA-s bënë gjithçka për ta fituar trofeun, edhe pse vetëm njëri do t’ia dilte në fund.
Maroku që luante në shtëpi, në prani të mbi 66 500 tifozëve, u përpoq shumë për të kënaqur popullin e tij, por të mbiquajturit “Luanët e Terangës” I mbijetuan gjithçkaje dhe mund të thuhet se e merituan.
Ishte një duel “luanësh”, pasi edhe marokenët janë “luanët e Atlasit”.
Të dyja skuadrat patën raste dhe u dallua sidomos portieri I Marokut, Bono, që mohoi edhe ndonjë gol të sigurt.
Momenti më dramatik ishte ai I braktisjes së fushës pikërisht nga senegalezët, kur arbitri akordoi penallti për kundërshtarin në fundin e kohës shtesë të pjesës së dytë.
U deshën 17 minuta që ndeshja të rifillonte dhe Sadio Mane u tregua si kapiten I vërtetë, edhe pse shiritin e mban mbrojtësi Kulibali.
Ish-sulmuesi I Liverpulit ktheu në terren shokët, pasi ata u nxitën të largoheshin nga trajneri Pape Çau, I cili besohet se do të marrë një ndëshkim të ashpër nga FIFA dhe Konfederata Afrikane e Futbollit.
Kjo ndoshta ndikoi dhe ylli I Marokut dhe I Realit, Brahim Diaz, gaboi në “panenkën” e tij. Senegalit iu anulua edhe një gol më herët, e ndoshta edhe kjo mund të ketë ndikuar në vendimin e përkohshëm për të braktisur ndeshjen.
Finalja u vendos në nisje të dy kohëve shtesë nga 30 minuta. Kaluan vetëm 4 minuta dhe Pape Geje shënoi një gol të shkëlqyer, pas të cilit nuk pati ndryshim rezultati.Senegali ngriti lart trofeun, që është I dyti në histori pas atij të vitit 2021./abcnews.al


