Trump: Të hetohet edhe Obama për “Russiagate”

schedule20:26 - 21 Shkurt, 2018

schedule 20:26 - 21 Shkurt, 2018

Presidenti amerikan Donald Trump ka futur në lojë Prokurorin e Përgjithshëm për skandalin “Russiagate”, duke i bërë thirrje atij që të hetojë edhe parardhësin e tij, Barack Obama.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka bërë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions, që të nisë një hetim mbi parardhësin e tij Barack Obama. Trump e ka akuzuar disa herë Obamën se ka dështuar në parandalimin e ndërhyrjeve të huaja në zgjedhjet e dy viteve më parë, por kjo është hera e parë që ai shënjestron prokurorin e përgjithshëm, të cilin e zgjodhi personalisht për të drejtuar Departamentin e Drejtësisë.

“Nëse të gjitha ndërhyrjet ruse ndodhën gjatë administratës Obama, atëherë përse ata nuk janë subjekt i ndonjë hetimi? Përse nuk bëri gjë Obama për të parandaluar ndërhyrjet? Përse nuk hetohen krimet e demokratëve? Pyesni Jeff Sessions”, u ka thënë Trump ndjekësve të tij në Twitter. Trump ka nisur një revansh ndaj Sessions që kur ish-senatori i Alabamës shpëtoi veten e tij nga të gjitha hetimet mbi fushatën e zgjedhjeve të 2016-s, përfshirë ato që kanë të bëjnë me ndikimin rus.

Vitin e kaluar, Trump e sulmoi ashpër atë po në Tëitter, kur e akuzoi për indiferencë ndaj shkeljeve të kandidates rivale Hilllary Clinton dhe ndaj çështjes së rrjedhjes së informacioneve. “Përse nuk i hetoni krimet e Hillaryt dhe marrëdhëniet me Rusinë?”, u shpreh asokohe presidenti amerikan. Sa i takon deklaratës së fundit, Departamenti i Drejtësisë, që heton vetëm krimet e kryera brenda territorit të Shteteve të Bashkuara, ka refuzuar të bëjë komente./abcnews.al