Trump sulmon drejtësinë amerikane

schedule18:32 - 10 Janar, 2018

schedule 18:32 - 10 Janar, 2018

Presidenti Donald Trump ka sulmuar sistemin gjyqësor amerikan duke thënë se është jofunksional dhe i padrejtë. Akuzat e tij vijnë pasi Gjykata e San Franciskos bllokoi përkohësisht vendimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë lidhur me anulimin e programit DACA, që mbronte rreth 800 mijë emigrantë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka sulmuar në tuitër, vendimin e një gjykate në Shtetet e Bashkuara që bllokoi përkohësisht vendimin e administratës Trump për t’i dhënë fund programit DACA që mbron ëndërrimtarët, thënë ndryshe 800 mijë personat që kanë mbërritur që fëmijë në territorin amerikan. Kreu i Shtëpisë së Bardhë flet për një “sistem gjyqësor jofunksional dhe të padrejtë”.

“Ky vendim i tregon të gjithëve se sa jofunksional dhe i padrejtë është sistemi ynë gjyqësor ndaj palës kundërshtare në një rast (si DACA)”, shkruan Trump në tuitër duke nënvizuar se vendimi i gjykatave të Shkallës së Parë gjithmonë kthehet nga gjykatat më të larta.

“E konsiderojmë skandaloz vendimin, veçanërisht duke marrë parasysh takimin bipartizan të zhvilluar mes anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, Senatit dhe Shtëpisë së Bardhë për programin DACA”.

Këtë e konfirmoi Sara Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, duke komentuar vendimin e gjykatësit Uilliam Aslup, i cili la në fuqi normat e epokës Obama për personat që kanë mbërritur në SHBA që fëmijë.

Gjykatësi i San Franciskos urdhëroi administratën e Donald Trump që të vazhdojë aplikimin e programit DACA në të gjithë territorin e SHBA. Ndërkohë, presidenti amerikan pret që vendimi i tij të ekzkutohet deri në 5 Mars. Por vendimi i fundit përfaqëson një goditje të fortë ndaj kreut të shtëpisë së bardhë përsa i përket emigracionit.

Trump në një mesazh në tuitër gjatë të martës, theksoi se SHBA-së i nevojitet muri në kufirin e saj jugor. Gjithashtu nënvizoi se ndërtimi i tij duhet të jetë pjesë e marrëveshjes së re për emigrantët që janë pjesë e DACA-s, me anë të cilës rreth 800 mijë persona jetojnë dhe punojnë në Amerikë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!