Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA, Donald Trump deklaroi të hënën se “sulmi i 7 tetorit” ndaj Izraelit nuk do të kishte ndodhur kurr” nëse ai do të ishte president i SHBA.
“Ne nuk duhet të harrojmë kurrë makthin e asaj dite”, tha Trump në një ngjarje në Miami, Florida, për të përkujtuar viktimat e sulmit të paprecedentë të nisur nga Hamasi një vit më parë.
Trump ka bërë deklarata të ngjashme në të kaluarën, jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për luftën e Rusisë në Ukrainë. Në një fjalim në Konventën Kombëtare Republikane korrikun e kaluar në Milwaukee, ai deklaroi:
“Unë do t’i jap fund çdo krize ndërkombëtare të krijuar nga administrata aktuale, duke përfshirë luftën e tmerrshme me Rusinë dhe Ukrainën – e cila kurrë nuk do të kishte shpërthyer nëse do të kisha qenë president – dhe lufta e shkaktuar nga sulmi ndaj Izraelit, që nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të kisha qenë president.”
“Irani nuk kishte asgjë. Irani nuk kishte para. Tani Irani ka 250 miliardë dollarë. Ata i mblodhën gjatë dy viteve e gjysmë të fundit”, tha Trump në atë kohë, duke pretenduar se administrata Biden i kishte dhënë Teheranit “lehtësim” nga sanksionet./abcnews.al