Trump “shpërthen” ndaj Jeff Sessions: I paaftë!

schedule21:50 - 19 Shtator, 2018

schedule 21:50 - 19 Shtator, 2018

Duke deklaruar se Amerika ka mbetur pa prokuror të përgjithshëm, Donald Trump ka bërë sulmin më agresiv ndaj sekretarit të Drejtësisë, Xhef Sesshëns, të cilin e ka cilësuar një zyrtar të paaftë.

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë sulmin më të ashpër ndaj Xhef Sesshëns, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një prokuror të përgjithshëm. Në një intervistë televizive Trump ka kritikuar vendimin e Sesshëns për t’u tërhequr nga hetimet mbi ndërhyrjen ruse, duke i hapur rrugë hetimit të Robert Myler. Gjithashtu Trump është shprehur i pakënaqur me reagimin e kryeprokurorit ndaj cështjes së emigracionit. “Unë nuk kam një prokuror të përgjithshëm në administratën time dhe kjo është shumë e trishtueshme”, ka deklaruar Trump. I pyetur nëse ka ndërmend ta shkarkojë Sesshëns, presidenti është përgjigjur: “Të shohim ç’do të ndodhë. Shumë njerëz ma kanë kërkuar ta bëj”, ka thënë Trump.

Presidenti ka vijuar duke thënë se distancimi i sekretarit të Drejtësisë nga hetimet mbi ndërhyrjen ruse nuk ishte i drejtë. “Gjithashtu, ai ka patur një performancë mjerane që kur nisi procesi i nominimit. Me zor iu përgjigj pyetjeve të Senatit”, ka shtuar Trump. Prokurori i përgjithshëm nuk ka reaguar ende, por në raste të mëparshme i ka hedhur poshtë akuzat e shefit të Shtëpisë së Bardhë. “Përsa kohë të jem unë, Departamenti i Drejtësisë do të punojë i pandikuar nga politika”, tha Sesshëns në muajin gusht./abcnews.al