Një ditë pas fjalimit televiziv drejtuar kombit, Donald Trump ka paralajmëruar demokratët se, në mungesë të një marrëveshjeje për financimin e murit do të ndjekë rrugë të tjera për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në kufirin me Meksikën.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se gëzon të drejtën të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, nëse nuk arrihet një marrëveshje me demokratët. Në ditën e 19-të të bllokadës qeveritare, Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ka në dorë opsione të tjera për të realizuar projektin e tij, nëse palët në Kongres nuk bien dakord. Ai sqaroi edhe përse nuk e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në fjalimin televiziv të së martës mbrëma.
“Sepse mendoj se mund ta arrijmë një marrëveshje dhe nëse dështojmë, atëherë do të ndjek rrugën tjetër. Gëzoj të drejtën për ta shpallur gjendjen e jashtëzakonshme nëse dua”, deklaroi Trump. Ndërkohë, lideri i republikanëve, Mitch Mçonnell e hapi të mërkurën seancën e Senatit duke akuzuar demokratët për qëndrimin e tyre kundër murit të kërkuar nga presidenti. Por kreu i grupit të demokratëve, senatori Chuck Schumer tha se fjalimi i një nate më parë i Trump ishte vetëm një ripunim i argumenteve të tij ilegjitime dhe keqinformuese.
“Presidenti vazhdon të nxisë frikën dhe për këtë sajon faktet”, deklaroi Schumer. Në fjalimin e së martës, Trump u shpreh: “Edhe sa gjak i qytetarëve amerikanë duhet të derdhet që Kongresi të bëjë detyrën e tij?”, duke iu referuar vrasjeve që sipas tij janë kryer nga emigrantët e paligjshëm./abcnews.al