Trump sfidon Kinën

schedule22:39 - 1 Mars, 2018

schedule 22:39 - 1 Mars, 2018

Presidenti Donald Trump ka ndërmarrë një masë të re për mallrat e importuara, duke i hapur sfidë Kinës. Për analistët, lëvizja ngre shqetësimin e arsyeshëm për një luftë të re tregtare.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se do të firmosë së shpejti një masë të re për importet, një lëvizje, pasojat e të cilës do të prekin më së shumti Kinën, rivali tregtar numër një i Shteteve të Bashkuara. Trump ka bërë me dije se do të rrisë taksat për importin e çelikut dhe aluminit, përkatësisht në 25 dhe 10 për qind.

Presidenti ka thënë se, Shtetet e Bashkuara po vuajnë nga një tregti e pandershme dhe pritet që ta konkretizojë masën në javët e ardhshme. Amerika importon katër herë më shumë çelik sesa eksporton dhe bazohet tek ngarkesat që vijnë nga mbi 100 vende të botës.

Vlera e çelikut amerikan u rrit ndjeshëm pas njoftimit të kreut të shtetit, por analistët shprehin shqetësimin se lëvizja do të rrisë shanset për një luftë të re tregtare me Kinën. Gjatë fushatës së tij, Trump kishte deklaruar se, vendet e huaja po derdhnin stoqet e tyre të metalit në Amerikë, duke dëmtuar industrinë vendase të çelikut dhe punëtorët e saj.

Në fillim të vitit, shefi i Shtëpisë së Bardhë ndërmori një hap të ngjashëm për panelet diellore që vinin nga Kina, duke acaruar Pekinin, me të cilin ka nënshkruar, ndërkohë disa marrëveshje tregtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!