Presidenti i SHBA Donald Trump ritheksoi qëndrimin e tij të ashpër për emigracionin, duke thënë se është “e turpshme” që një lojtar i futbollit profesionist humbi jetën në një aksident automobilistik për shkak të një guatemalasi, për të cilin policia tha se ndodhej ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, pasi ishte dëbuar dy herë.
Presidenti Trump e përdori vdekjen e së dielës në Indianapolis të lojtarit Edwin Jackson për të sulmuar ligjvënësit demokratë që janë në negociata me Shtëpinë e Bardhë lidhur me ndryshimet në politikat e emigracionit dhe për çështjen se si duhet të mbrohen më mirë dy milion emigrantë të rinj nga deportimi.
“Kjo është vetëm njëra nga shumë tragjedi të tilla të parandalueshme,” tha zoti Trump në Twitter rreth aksidentit, ku humbi jetën edhe shoferi i makinës ku ndodhej Jackson. “Ne duhet t’i bindim demokratët për t’u treguar të ashpër në çështjen e emigracionit paligjshëm,” shkruante ai.
Më vonë, ai komentoi: “Ne kemi nevojë për një sistem imigrimi të shekullit 21 bazuar mbi meritën. Emigracioni zinxhir dhe lotaria e vizave janë programe të vjetëruara që dëmtojnë sigurinë tonë ekonomike dhe kombëtare.”
Ligjvënësit amerikanë kanë hedhur disa propozime për emigracionin, por nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për një çështje kaq komplekse, ashtu siç ka ndodhur për vite me rradhë në të kaluarën./VOA