Trump reagon pas dëshmisë së ish-avokatit: Të gjithë do të jenë më të varfër

schedule17:13 - 23 Gusht, 2018

schedule 17:13 - 23 Gusht, 2018

Donald Trump ka paralajmëruar se nëse drejtësia e inkriminon bazuar në deklaratat e ish-avokatit Michael Cohen, tregjet financiare do të bien dhe gjithë amerikanët do të jenë më të varfër.

Presidenti amerikan Donald Trump u është përgjigjur spekulimeve se mund të inkriminohet, duke paralajmëruar se një lëvizje e tillë do të dëmtonte ekonominë e Shteteve të Bashkuara. Reagimi i tij ka ardhur pas deklaratës së ish-avokatit personal Michael Cohen, se Trump e kishte udhëzuar të shkelte ligjet elektorale gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale 2016. “Nuk e di se si mund të inkriminosh dikë që ka bërë një punë të shkëlqyer, por nëse ndodh, tregjet do të bien dhe të gjithë do të jenë shumë të varfër”, ka deklaruar Trump. Në një intervistë për “Fox News”, presidenti ka theksuar se po të mos ishte për inteligjencën e tij, amerikanët do të shihnin shifra që nuk i kanë menduar kurrë.

Në vijim, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka theksuar se pagesat e bëra për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels dhe ish-modelen e “Playboy” Karen McDougal vinin nga të ardhurat e tij personale dhe jo ato të fushatës, “ndaj rrjedhimisht nuk ka patur shkelje të ligjeve elektorale”, ka thënë Trump. Presidenti ka akuzuar ish-përfaqësuesin e tij ligjor se ka sajuar histori për të përfituar një dënim më të lehtë. “Dhe meqë ra fjala, ai pranoi fajin për dy akuza të cilat në thelb nuk janë krim. Veprim ky që nuk e kupton njeri”, ka shtuar Trump./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!