Trump prezanton pr/buxhetin për vitin 2020,  prioritet ushtria

schedule08:09 - 12 Mars, 2019

schedule 08:09 - 12 Mars, 2019

Buxheti i Shteteve të Bashkuara për vitin 2020 do të ketë prioritet fushën e mbrojtjes. Presidenti Trump ka kërkuar për këtë sektor 750 miliardë dollarë, një shifër që rrezikon të lërë pa fonde institucionet e tjera, përfshirë Departamentin e Shtetit. Por buxheti ka gjasa të refuzohet nga demokratët.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka prezantuar të hënën në Uashington projekt/buxhetin për vitin 2020, që i kërkon Kongresit rritjen e fondeve për ushtrinë dhe murin me Meksikën. Konkretisht, Trump kërkon që shpenzimet në fushën e mbrojtjes të rriten me 4 për qind në 750 miliardë dollarë, duke përdorur këtu edhe fondet për operacionet ndërkombëtare.

Një lëvizje e tillë sjell mes të tjerash shkurtimin e fondeve për një seri institucionesh të rëndësishme, si 23 për qind për Departamentin e Shtetit dhe 31 për qind për Agjencinë për Mbrojtjen e Ambientit. Sa i takon murit në kufirin jugor, këtë herë Trump kërkon 8.6 miliardë dollarë, një kuotë 6 herë më të lartë se fondet që Kongresi ofroi për projektet për sigurinë kufitare në dy vitet e fundit fiskale dhe 6 për qind më e lartë se shuma që ai kërkoi paraprakisht për ngritjen e strukturës. Por buxheti në fjalë, prej 4.7 trilionë dollarësh, ka shumë gjasa të rrëzohet nga Kongresi.

Liderët demokratë paralajmëruan Trump ditën e diel se do të votojnë kundër draftit, që sipas tyre është përsëritje e betejës për fonde të vitit të kaluar, që çoi në bllokadën qeveritare më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Por për këtë vit situata është më e komplikuar. 1 tetori është afati i fundit për një marrëveshje të re që financon agjencitë federale dhe që përkon me afatin për heqjen e kufirit të borxhit publik. Pa një rritje të kufirit, qeveria amerikane rrezikon një paralizë që mund të trondisë ekonominë më të madhe të botës./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!