Trump prezanton planin e investimeve

schedule19:52 - 12 Shkurt, 2018

schedule 19:52 - 12 Shkurt, 2018

Presidenti amerikan ka prezantuar planin e administratës së tij për investimet, që parashikon shpenzimin e 200 miliardë dollarëve për infrastrukturën e Shteteve të Bashkuara, që sipas Donald Trump po shkundet nga themelet.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zbuluar planin e tij për rinovimin e infrastrukturës së Shteteve të Bashkuara, që sipas tij po shkërmoqet.
Trump dëshiron që Kongresi të autorizojë një buxhet prej 200 miliardë dollarë që do të shpenzohen në një dekadë për rrugë, autostrada, porte dhe aeroporte.

Presidenti shpreson që shtetet amerikane dhe sektori privat të nxisin më pas një investim prej 1.3 trilion për përmirësimin e infrastrukturës. “Është koha që Shtetet e Bashkuara të investojnë për veten e tyre, pas investimeve idiote në Lindjen e Mesme”, ka shkruar Trump në profilin e tij në Twitter.

Plani në fjalë ishte një pikë kyçe e fushatës së zotit Trump, por sipas analistëve, vënia e tij në zbatim mund t’u kushtojë amerikanëve rritje të taksave. Ai kërkon 50 miliardë fonde publike që do të përdoren për modernizimin e infrastrukturës në zonat rurale, banorët e të cilave votuan për Trump në zgjedhjet e 2016-s.

Ndërsa 100 miliardë të tjerë do të shërbejnë në kuadër të një programi stimulimi për lëvrimin e fondeve shtesë në mënyrë individuale nga shtetet, qytetet dhe sektori privat. Administrata do të kërkojë gjithashtu 20 miliardë në formë huaje dhe bondesh për të financuar një sërë projektesh në fushën e transportit dhe atë të furnizimit me ujë./abcnew.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!