Trump pret Merkel në Shtëpinë e Bardhë

schedule22:45 - 27 Prill, 2018

schedule 22:45 - 27 Prill, 2018

Në një takim me atmosferë miqësore, presidenti Donald Trump dhe kancelarja Angela Merkel kanë përafruar qëndrimet sa i takon çështjeve si Koreja e Veriut, Irani, Siria dhe marrëdhëniet tregtare. Ata janë shprehur të hapur për diskutime, me qëllim heqjen e barrierave të bashkëpunimit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është pritur të premten në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Donald Trump. Ndryshe nga takimi i tyre i mëparshëm, ku qëndruan ftohtë dhe nuk shtrënguan as duart, ai i së premtes është dukur shumë miqësor. Në prononcimin për mediat përpara takimit me dyer të mbyllura, Presidenti amerikan ka vlerësuar figurën e kancelares, duke e quajtur atë një grua të jashtëzakonshme.

 “Ne kemi dhe kemi patur një marrëdhënie të vecantë që në fillim, por disa njerëz nuk e kanë kuptuar. Rëndësi ka që ne e kemi kuptuar. Jeni një grua e jashtëzakonshme. Faleminderit që keni ardhur në Shtëpinë e Bardhë”.

Pak më vonë, në konferencën e përbashkët për shtyp, dy liderët kanë bërë me dije se kanë përafruar qëndrimet për çështjet kryesore me të cilat përballet sot rendi botëror. Sa i takon asaj koreano-veriore, Trump ka nënvizuar se në javët e ardhshme do të takohet me Kim Jong un dhe është shprehur optimist se takimi do të jetë pozitiv.

“Me Korenë e Veriut kemi një marrëdhënie pune të mirë dhe po organizojmë takimin. Gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm krahasuar me disa muaj më parë”.

Irani ka qenë një tjetër pikë, ku Trump është ndalur, duke akuzuar regjimin islamik se po përhap gjakderdhje në mbarë Lindjen e Mesme.

“Duhet të sigurohemi që ky regjim gjakatar as të mos i afrohet armëve bërthamore dhe që t’i japë fund prodhimit të raketave dhe mbështetjes së terrorizmit”.

Ndër të tjera, Trump është shprehur i gatshëm për të biseduar me kancelaren Merkel për heqjen e barrierave tregtare dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike.

Në të njëjtat linja, Merkel ka bërë me dije se Gjermania po përafron qëndrimet e saj me atë të administratës amerikane për çështje si Rusia, Siria dhe Irani, që sipas saj po trokasin në dyert e Europës.

“Kemi Iranin që po përpiqet të bëhet një fuqi bërthamore. Marrëveshja nuk ka qenë e mjaftueshme. Aktivitetet bërthamore janë reduktuar, por duhen parë me kujdes, bashkë me influencën e Iranit në Siri, Irak, etj”.

Sikurse Trump, edhe Merkel është ndalur tek marrëdhëniet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, të lëkundura nga paralajmërimet e Presidentit amerikan për rritjen e taksave.

“Marrëdhëniet e ngushta tregtare ekzistojnë. Ne duam një marrëdhënie të drejtë e reciproke, sipas parimeve të OBT-së, edhe pse ndër vite kjo organizatë nuk ka qenë garante e marrëveshjeve ndërkombëtare. Do vazhdojmë të diskutojmë aspektet e tregtisë”.

Vizita e Merkel në Uashington pason atë të Presidentit francez. Pavarësisht se Trump dhe Macron rikonfirmuan miqësinë e tyre personale dhe atë mes dy vendeve, ajo u konsiderua një vizitë e dështuar për faktin se Trump nuk pranon mbajtjen në fuqi të marrëveshjes së vitit 2015 me Iranin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!