Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se është duke zhvilluar “bisedime të mira” si me presidentin rus Vladimir Putin, ashtu edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh optimist për ecurinë e kontakteve diplomatike. “Po punojmë për situatën në Rusi dhe Ukrainë dhe shpresojmë se do ta arrijmë këtë”, tha ai.
Megjithatë, presidenti amerikan nuk pranoi të japë detaje mbi kohën e fundit kur ka komunikuar me Putinin. “Kam biseda me të dhe kam biseda me Presidentin Zelensky, dhe biseda të mira”, u shpreh Trump, pa specifikuar datat e telefonatave me secilin lider.
Ai komentoi gjithashtu marrëdhëniet mes dy udhëheqësve, duke theksuar se tensionet dhe armiqësia e thellë mes tyre e vështirësojnë procesin e paqes.
“Urrejtja midis Presidentit Putin dhe Presidentit Zelensky është qesharake. Është çmenduri. Dhe urrejtja është një gjë e keqe kur përpiqesh të rregullosh diçka, por do të ndodhë”, deklaroi ai.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kritik për konfliktin në Ukrainë, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike vazhdojnë.


