Ekspertë dhe analistë të njohur të çështjeve ndërkombëtare analizuan zhvillimet më të fundit të politikës globale dhe rolin e Shteteve të Bashkuara nën drejtimin e ish-presidentit Donald Trump, gjatë emisionit “Real Story” në ABC News.
Ekspertja për marrëdhëniet ndërkombëtare, Juxhina Sotiri, u shpreh se ka ardhur momenti që Europa, SHBA dhe i gjithë Perëndimi të përballen me një realitet të ri politik, ku sipas saj Trump po rrëzon manualet e vjetra të diplomacisë. Ajo theksoi se zotërimi i SHBA-së mbi naftën e Venezuelës do të trondisë tregjet globale dhe do të ndikojë drejtpërdrejt Rusinë, duke rikalibruar të gjithë tregun e naftës dhe duke kufizuar blerësit tradicionalë të Moskës.
Juxhina Sotiri: Ka ardhur momenti që Europa, SHBA dhe i gjithë Perëndimi në tërësi. Trump rrëzon realitetin, thotë që nuk do të përdorim manualin e vjetër. Zotërimi i SHBA në naftën e Venezuelës do të tronditë tregjet, e aq më tepër Rusinë. Do të rikalibrohet i gjithë tregu i naftës dhe Rusia nuk do të ketë ata blerës që kishte në këtë periudhë. Trump po ndryshon politikën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, pedagogu Mentor Beqa vlerësoi se ndërhyrjet e Trump në skenën ndërkombëtare kanë qenë më tepër politike sesa ushtarake, duke i cilësuar ato si “ndërhyrje kirurgjikale”. Sipas tij, veprimet në Iran dhe Venezuelë nuk mund të kenë të njëjtat pasoja, pasi konteksti gjeopolitik dhe interesat strategjike janë të ndryshme.
Mentor Beqa: Kjo ndërhyrje që ka bërë Trump, është një ndërhyrje kirurgjikale më shumë politike, se sa ushtarak. Edhe ndërhyrja që ka bërë në Iran dhe në Venezuelë, kanë qenë ndërhyrje kirurgjikale. Pasojat nuk janë të njëjtat, sepse konteksti është i ndryshëm.
Ndërkohë, analisti Artur Nura u ndal te deklaratat dhe debatet që lidhen me NATO-n dhe Groenlandën, duke i konsideruar disa prej tyre si politike dhe jo realiste. Ai theksoi se nuk ekziston rreziku i një pushtimi të Groenlandës dhe se në samitin e Parisit me liderët botërorë askush nuk ka deklaruar rënien e NATO-s, duke nënvizuar se aleanca mbetet një realitet historik i qëndrueshëm.
Artur Nura: Është një realitet historik që nuk mund të shkrihet. Deklarata që vjen nga Danimarka është politike dhe jo realiste. Nuk do të kemi pushtim të Groenlandës. Në Paris, në samitin me liderët askush nuk tha që do të bjerë NATO.


