Trump përfiton frytet e presionit ndaj NATO-s

schedule11:22 - 14 Korrik, 2018

schedule 11:22 - 14 Korrik, 2018

Kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Tramp kërcënoi se do të nxirrte Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga NATO, por më pas u tërhoq nga kjo deklaratë pas vendimit të shteteve anëtare të aleancës atlantike për të rritur shpenzimet ushtarake me 33 miliardë dollarë.

“Mund të dal nga NATO, por nuk do ta bëj”. Në këtë mënyrë Presidenti Amerikan Donald Trump tërhoqi kërcënimin për t’u larguar nga aleanca atlantike në rast se vendet aleate nuk do të kishin shtuar shpenzimet ushtarake. Hapi prapa erdhi pas vendimit të vendeve anëtare, të konfirmuar nga vetë Presidenti Amerikan, për të rritur kontributin për shpenzimet ushtarake me 33 miliardë dollarë. Fjalët e kreut të Shtëpisë së Bardhë kishin shtyrë NATO-n të thërriste një mbledhje të jashtëzakonshme.

“Besoj tek NATO, të gjitha vendet anëtare ranë dakord që të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, në një nivel që nuk është arritur më parë”- theksoi Trump. Më tej ai shtoi se i kishte bërë të ditur vendeve që ishte i pakënaqur për shpenzimet që bëheshin për mbrojtjen, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës paguajnë 90 për qind të tyre, dhe kjo nuk ishte e drejtë. Por Trump tha se sot NATO është më e fortë se disa ditë më parë, sepse të gjithë janë impenjuar që të rrisin kontributin ushtarak.

Ai që ishte kthyer në rastin Trump, u përgënjeshtrua fillimisht nga presidenti francez Emanuel Makron, i cili tha se Presidenti Amerikan nuk kishte kërcënuar asnjëherë në asnjë moment, as në publik dhe as privatisht, për t’u tërhequr nga NATO.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte lënë kishte lënë të kuptohej se vendet e Aleancës Atlantike duhet të rrisnin kontributin e tyre deri në katër për qind të buxhetit. Gjatë fjalës së tij në punimet dedikuar marrëdhënieve mes NATO-s dhe Ukrainës, Tramp sulmoi sërish Gjermaninë dhe iu drejtua partnerëve të tjerë me tone dhe më të ashpra.

Pikërisht këtyre të fundit ai u kërkoi një përpjekje të menjëhershme në mënyrë që shpenzimet ushtarake të mbuloheshin nga 2 përqindëshi i buxhetit, në kuadër të realizimit të objektivit të vënë për vitin 2024. Dhe nëse një gjë e tillë nuk do të ishte realizuar, Tramp premtoi se do të vazhdonte në rrugën e tij. Një paralajmërim që ai e tha gjatë takimit me presidentin ukrainas Petro Poroshenko, e që kishte ngjallur polemika të ashpra. Fraza dhe pse nuk u konfirmua zyrtarisht u interpretua nga disa media gjermane dhe belge si një kërcënim për daljen e Shteteve të Bashuara të Amerikës nga NATO.

 “Dua të qartësoj diçka: Kam përjetuar pushtimin sovjetik të një pjese të Gjermanisë. Dhe është një gjë e mirë që vendi tashmë është i pavarur”. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka zgjedhur t’i përgigjet në këtë mënyrë presidentit amerikan Donald Trump, duke risjellë në vëmendje fëmijërinë që kishte kaluar në Gjermaninë Lindore, nën sferën e influencës të Bashkimit Sovjetik. Në fakt, në prag të samitit në Bruksel mes liderëve të vendeve anëtare të NATO-s, Tramp kritikoi Gjermaninë se kishte firmosur marrëveshje të rëndësishme për gazin dhe naftën me Rusinë, me Berlinin që paguan me miliarda dollarë çdo vit Moskës. Gjermania sipas Tramp, kontrollohet në mënyrë absolute nga Rusia. Një polemikë kjo që iu shtua atyre për kontributin e vendeve aleate të Aleancës Atlantike. Sa herë që një President Amerikan i kujton aleatëve pragun e famshëm të 2 përqindëshit të buxhetit për t’ia dhënë zhvillimit të mbrojtjes, në Aleancë rikthehen tensionet. Por Merkel nuk ka qëndruar në heshtje, duke thënë se Gjermania kontribuon shumë, dhe se në kuadër të NATO-s kontigjenti gjerman është i dyti pas atij amerikan. Kancelarja gjermane shtoi se vendi i saj do të shtojë buxhetin për mbrojtjen ashtu si dhe u vendos në Uells. Brenda vitit 2028 shpenzimet do të rriten me 28 për qind në krahasim e vitin 2014.

Donald Trump u takua me liderë të ndryshëm të NATO-s në Bruksel para se të udhëtonte në Britaninë e Madhe ku u takua me kryeministren britanike Mej. Në një takim që sigurisht nuk munguan deklaratat e forta dhe pasojat e tyre.

Menjëherë sapo mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar, Tramp në një intervistë për britaniken “San” kritikoi kryeministren Mej dhe mbështeti rivalin e sj të brendshëm Boriks Xhonson duke thënë se ai do të kishte qenë një kryeministër i shkëlqyer për vendin.

Deklaratat e tij u bënë menjëherë pas mbrëmjes gala të organizuar në nder të tij nga kryeministrja britanike në ish rezidencën e Uinston Çërçill në Oksford. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u përqendrua më shumë në planin e ri për brexit, dhe jo rastësisht intervista e tij u bë në median në pronësi të manjatit Rupert Murdoch, televizioni i të cilit Foks Njus ëshët prej kohësh një mbështetës i madh i Tramp në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Plani për një Brexit të butë të prezantuar ditët e fundit nga kryeministrja Mej, ndoshta do të vriste një marrëveshje për tregti të lirë mes britanisë së madhe dhe shteteve të bashkuara të amerikës, pohon presidentik amerikan në intervistë. Kjo sepse për amerikanët do të nënkuptonte se po bëjnë ende marrëveshje me bashkimin europian dhe jo me Mbretërinë e Bashkuar. të hënën kryeministrja britanike do të vendosë në votim në parlament propozimin e saj dhe rrezikon të humbasë për shkak të kundërshtimit të rrymës më anti europiane të partisë konservatore, dhe fjalët e Tramp rrezikojnë të ushqejnë dhe më shumë opozitëne  brendshem ndaj propozimit të saj. “I kisha thënë Terezës si të negocionte, por nuk më dëgjoi, vendosi të ndiqte një rrugë tjetër,” shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë. Por kjo nuk është goditja e vetëm e tij: duke folur për Boris Xhonson pak ditë pas dorëheqjes si ministër i brendshëm pasi nuk ishte dakord me planin e kryeministres për Brexit, Tramp thotë se ai do të kishte qenë një kryeministër shumë i mirë pasi ka atë që duhet për të drejtuar vendin e tij.

Gjithnjë duke iu referuar Brexit, presidenti amerikan përsërit atë që ka thënë në Bruksel se plani i ri është shumë i ndryshëm nga ai për të cilin britanikët votuan në referendumin për Bashkimin Europian dy vjet më parë. Ndërsa për Bashkimin Europian ai shprehet se ka shumë probleme. Trump këmbëngul se shtete e bashkuara të amerikës nuk janë trajtuar njësoj për sa i përket tregtisë dhe për këtë arsye ai po regonte. I pyetur për protestat kundër tij në Londër, Tramp u shprehs e Londra dikur i pëlqente por nuk kishte arsye për të qëndruar përderisa nuk e bënin të ndihej i mirë se ardhur.

Por pas intervistës në SAN që u mor nga mediat e të gjithë botës, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se Presidenti Amerikan e respekton shumë Tereza Mej dhe nuk është shprehur asnjëherë kundër saj. Por BBC shkruan se Tramp sapo kishte kaluar me një bulldozer sipër planit të kryeministres britanike për Brexit.

Të hënën Tramp takohet në Helsinki me liderin e Kremlinit, për të cilin ishte shprehur se do të ishte takimi më i lehtë nga të gjithë. Një shaka shumë serioze, duke marrë parasysh se u ndoq nga sulme në drejtim të bashkimit europian përsa i përket tregtisë dhe mbrojtjes së përbashkët.

Deklarata ndaj të cilave ka reaguar presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, i cili i ka kërkuar Uashingtonit të tregojë më respekt për aleatët e tij, duke shtuar se nuk është se kanë dhe shumë aleatë. Një reagim ndaj Presidentit Amerikan dhe kritikave të tij gati të përditshme për qeverisjen në Europë.

Shumë burime diplomatike të NATO-s ditët e fundit kanë bërë deklarata që tregojnë shqetësim, pasi Tramp ka sjellë të njëjtat tensione sin ë samitin e G7-ës duke u përqendruar në temën e shpenzimeve për aleancën atlantike. Disa prej tyre u shprehën se e ardhmja e aleancës nuk është më aq e sigurtë. Ndërsa kancelarja gjermane Merkel u shpreh se Europa mund të mos jetë më në gjendje të mbështete në aleatin e saj amerikan. Gjithësesi funksionarë amerikanë u shprehën për agjencinë e lajmeve Reuters se Trump nuk do të heqë dorë nga mbështetja e shteteve të bashkuara të amerikës për artikullin 5 të traktattit atlantik, sipas të cilit një sulm kundër një vendi aleat konsiderohet një sulm kundër të gjithë vendeve anëtare.

Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, vendet e tjera anëtare të Aleancës Atlantike – e krijuar në 1949-ën për t’u përballur me bashkimin sovjetik – po përfiton nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Europa sipas tij, përveç disa shteteve të caktuara, është shumë larg nivelit të shpenzimeve të vendosura në samitin e Uellsit në vitin 2014 ku u vendos që kontributi për shpenzimet ushtarake të çdo shteti të ishte 2 përqind e buxhetit. Nga 29 vende anëtare të NATO-s vetëm pesë kanë arritur objektivin këtë vit: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Estonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Letonia. Gjithësesi Franca, Lituani dhe Norvegjia janë shumë pranë pragut të vendosur mbi 1.5 për qind.

Shtetet e bashkuara të amerikës përfaqësojnë sot 51.1 pë qind të prodhimit të brendshëm brujto të aleancës duke mbuluar deri në 71.7 për qind shpenzimet për mbrojtjen. Mbretëria e Bahskuar renditet e dytë. Ndërsa më pas vijnë Franca dhe Gjermania, e më pas Italia. Në kompleks shpenzimet për mbrojtjen të Europës dhe Kanadsë janë rritur me 4.7 për qind  në krahasim me vitin 2016. Por në vend të fundit për këto shpenzime renditet Luksemburgu vetëm me më pak se 0.5 për qind.

Por pavarësisht deklaratave të kreut të Shtëpisë së Bardhë për arritjen e synimit të tij që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre, një nga një vendet kryesore të NATO-s, e përgënjeshtrojnë. Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja kanë refuzuar kërkesën e Presidentit Amerikan Donald Trump. Pas disa ditësh polemikash dhe diskutimesh – dhe të ashpra – samiti i 29 krerëve të shteteve dhe qeverive të Aleancës Atlantike, asgjë nuk ka ndryshuar. Corriere della Sera shkruan se mbetet ende në fuqi ajo për të cilën u ra dakord në Samitin e Uellsit në 2014, pragu i kontributit qëndorn në 2 përqind deri në vitin 2024.

Presidenti Amerikan Tramp, pa filtrin e zëdhënësit të tij, foli për Korenë e Veriut, për presidentin rus Putin të cilin e sheh si konkurrent dhe jo armik, por dhe për Xhuzepin, pra kryeministrin Italian Xhuzepe Konte të cilin e lavdëroi pasi qeveria e tij kishte fituar zgjedhjet falë linjës së fortë kundër emigracionit. Por Tramp vijon të konsiderojë sukses rezultatet e arritura në samitin e Brukselit duke thënë se besonte në aleancën atlantike. Dhe pse më parë kishte thënë se mund të dilte pa pasur nevojë për aprovimin e Kongresit Amerikan, por nuk do ta bënte nëse nuk do të ishte e nevojshme. Më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi se në vitin e fundit shpenzimet e partnerëve për mbrojtjen janë rritur deri në 40 miliardë dollarë.

Ishte pikërisht teksa udhëtonte në mbretërinë e bashkuar, kur krerë të ndryshëm shtetesh dhe qeverish përgënjeshtruan deklaratat e Tramp. Kryeministri Italian Xhuzepe Konte pranoi se Presidenti Amerikan Tramp kishte të drejtë për sa i përket faktit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontribuojnë më shumë se cduhet në NATO. Por në t ë njëjtën kohë përjashtoi çdo mundësi që Italia të kontribuojë më shumë.

Edhe presidenti francez Emanuel Makron konfirmoi shpenzimet ushtarake të vendit të tij deri në 2 përqind deri në vitin 2024 dhe se nuk kishte asgjë për të shtuar.

Kryeministri spanjoll Pedro Sancez u shpreh se e kuptonte kërkesën e Tramp, por vendi i tij po bënte një përpjekje shumë të madhe në misionet e NATO-s dhë synon të arrijë pragun e 1.5 përqindëshit deri në vitin 2024.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, objektivi kryesor i akuzave dhe kërkesave të Tramp, deklaroi se Gjermania është në rrugën e duhur duke mos komentuar më tej kërkesat e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Vetëm sekretari i përgjithshëm i NATO-s, norvegjezi Jens Stolteberg, u përpoq të mbrojë financuesin më të rëndësishëm  të Aleancës, duke thënë se mesazhi i tij i fortë pati një impakt të qartë tek aleatët. Në të vërtetë, samiti i Brukselit duket se ka konfirmuar faktin që marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian janë gjithnëj e më të vështira. Madje duke tejkaluar minimumin historik të atyre mes Uashingtonit dhe Berlinit. Angela Merkel nuk i ka mirëpritur akuzat e rënda të Tramp për varësinë energjitike nga Rusia, por dhe kërcënimet për vendosjen e tarifave ndaj miliona automjeteve që eksportohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!