Trump për anulimin e sulmit ndaj Iranit: Nuk doja të vriteshin civilë

schedule22:50 - 21 Qershor, 2019

schedule 22:50 - 21 Qershor, 2019

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se e anuloi sulmin e përgatitur ndaj Iranit për shkak se 150 persona do të kishin humbur jetën.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se ushtria amerikane ishte gati për të kundërsulmuar Iranin, por ai vetë ndërroi mendje 10 minuta përpara se sulmi të ekzekutohej. Administrata amerikane kishte planifikuar të sulmonte tre objektiva iraniane si reagim ndaj rrëzimit të një droni të Shteteve të Bashkuara më herët gjatë javës. Trump tha se ai i kishte anuluar sulmet pasi ishte informuar se 150 persona mund të humbnin jetën prej tyre.

“10 minuta përpara sulmit ndalova gjithçka, sepse nuk ishte në përpjestim të drejtë me rrëzimin e një droni”, deklaroi Trump në profilin e tij në Tëitter. Lajmi për anulimin e sulmit u raportua fillimisht nga gazeta “Nju Jork Tajms”, sipas të cilës sulmi ishte në fazat e para të tij kur presidenti urdhëroi ushtrinë të tërhiqej.

“Nuk kemi përse të ngutemi. Ushtria jonë është rindërtuar, është e re dhe gati të hyjë në veprim. Është më e mira në botë”, deklaroi Trump ditën e premte. Shefi i Shtëpisë së Bardhë saktësoi se pala iraniane e kishte rrëzuar dronin ditën e hënë, pavarësisht se më herët ushtria amerikane kishte deklaruar se avioni pa pilot ishte rrëzuar në orët e para të së enjtes. Presidenti vijoi më tej për “EN BI SI Njuz” duke thënë se nuk ishte dakord me vdekjet në radhët e civilëve.

“Nuk më pëlqeu. Nuk mu duk i drejtë”, tha Trump. Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar këtë muaj pas sulmeve ndaj dy anijeve-cisternë dhe pas tërheqjes së Teheranit nga zotimet që rridhnin nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. /Abc news Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!