Tarifa të reja amerikane për produktet kineze që hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tarifat prej 25 për qind do të shkaktojnë rritje të çmimeve për produkte si veshje, televizorë dhe kondicionerë, por dhe të aksesorëve të Apple. Administrata Trump do të zyrtarizojë vendimin në fund të këtij muaji.
Administrata Trump do të propozojë në ditët e ardhshme rritjen e tarifave për 200 miliardë dollarë të produkteve kineze që importohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmi është konfirmuar nga agjencia Bloomberg, që shpjegon se si tarifat për këto produkte do të rriten nga 10 për qind që janë aktualisht në 25 për qind. Objektivi është që të ushtrohet presion ndaj Pekinit duke risjellë në tryezën e negociatave autoritetet kineze.
Në 30 Gusht përfundon periudha e konsultimeve edhe publike, që kanë nisur në Qershor për tarifat në fjalë. Nëse tarifat e deritanishme të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë prekur produktete e kolosit të teknologjisë Apple, tarifat e reja do të prekin 40 për qind të produkteve që Kina nis çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë dhe aksesorët e Apple.
Sipas Bloomberg, Washingtoni nuk ka marrë ende një vendim. Por pritet që të rriten çmimet e televizorëve, veshjeve, çarçafëve, kondicionerëve dhe shumë produkteve të tjera popullore mes konsumatorëve amerikanë. Lista ishte publikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas 6 Korrikut kur Washingtoni vendosi tarifa prej 25 për qind në 34 miliardë dollarëve të produkteve kineze.
Pekini reagoi duke ndërmarrë masa të reja që po prekin dhe sojën amerikane. Jo rastësisht Departamenti amerikan i Agrokulturës ka paralajmëruar një program ndihme prej 12 miliardë dollarësh në favor të sektorit./abcnews.al