Trump ofron kompromis për t’i dhënë fund bllokadës

schedule10:45 - 20 Janar, 2019

schedule 10:45 - 20 Janar, 2019

Përmes disa lëshimeve për emigracionin, Presidenti Donald Trump është përpjekur të arrijë një kompromis me demokratët për financimin e murit me Meksikën. Por demokratët e kanë refuzuar ofertën, duke e cilësuar një “play list” me nisma që Trump më parë kundërshtonte.

Presidenti Donald Trump ka prezantuar një seri planesh të reja në lidhje me projektin e tij për murin me Meksikën, në përpjekje për t’i dhënë fund bllokadës qeveritare që zgjat prej më shumë se 4 javësh. Një nga kompromiset që shefi i Shtëpisë së Bardhë është gati të bëjë është zgjatja me 3 vjet e lejes së qëndrimit për emigrantët që kanë hyrë ilegalisht në moshë të mitur në Shtetet e Bashkuara.

Por megjithatë, Trump nuk heq dorë nga muri dhe nënvizon se dëshiron ende financimin prej 5.7 miliardë dollarësh për ndërtimin e tij. Presidenti ka theksuar se, Amerika ka një histori mikpritjeje që e bën të ndihet krenare, por kjo traditë sipas tij ka kohë që shkelet dhe abuzohet.

“Jam këtu për të thyer ngërçin dhe për t’i ofruar Kongresit një rrugëdalje për t’i dhënë fund bllokadës”, ka deklaruar Trump.

Ai ka përsëritur arsyet për ndërtimin e murit dhe ka theksuar se nuk bëhet fjalë për një strukturë të tejzgjatur, por për disa barriera metalike në zonat me prioritet të lartë. Një tjetër lëshim që Trump është i gatshëm të bëjë është ai për Statusin e Përkohshëm të Mbrojtjes, që më parë e ka kundërshtuar.

Bëhet fjalë për një vizë 3-vjeçare dhënë mbi 300 mijë personave nga vende të prekura nga luftërat apo katastrofa të tjera, të cilët punojnë në Shtetet e Bashkuara. Por kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Nancy Pelosi ka deklaruar se ofertat e bëra nga presidenti nuk i shërbejnë një fillimi të ri dhe janë vetëm një listë nismash që ai më parë i ka kundërshtuar, që janë të papranueshme dhe që nuk kthejnë besimin e opinionit publik tek shteti.

“Ajo që nuk dëgjuam nga Presidenti ishte simpatia për punonjësit federalë që po përballen me pasiguri të shumta për shkak të kaosit të shkaktuar nga bllokada e Trump”, ka thënë Pelosi në Twitter./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!