Trump: Nuk jam informuar mbi komplotet ruse në Afganistan

schedule13:26 - 29 Qershor, 2020

schedule 13:26 - 29 Qershor, 2020

Presidenti Donald Trump tha të dielën se nuk ishte informuar  në lidhje me raportet se një njësi e ushtarake  e Rusisë kishte ofruar fshehurazi shpërblime për militantët talebanë në Afganistan për të vrarë ushtarët amerikanë.

Zoti Trump përmendi artikullin e gazetës “New York Times” sipas së cilës muaj më parë zyrtarët amerikanë kishin dalë në përfundimin se njësia ruse e kishte kryer misionin në Afganistan vitin e kaluar dhe se ai (Presidenti) ishte informuar mbi këtë çështje në fund të muajit mars.

Në një postim në Twitter zoti Trump shkruante se: “askush nuk më ka njoftuar apo më ka thënë diçka mua, nënpresidentit Mike Pence ose shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows” mbi të ashtuquajturat sulme nga rusët ndaj trupave tona në Afganistan, siç raportohet përmes një” burimi anonim” nga agjencia e lajmeve të rreme “New York Times”. Të gjithë po e mohojnë këtë gjë, nuk ka pasur shumë sulme ndaj nesh”, shkruante Trump.

Vitin e kaluar në Afganistan u vranë njëzet trupa amerikane, por nuk ka informacion se cilat vrasje mund të kenë qenë të lidhura me shpërblimet që dyshohet se janë dhënë nga shërbimet ruse. Kritikët kanë akuzuar Trump se ka treguar respekt  ndaj presidentit rus Vladimir Putin gjatë mandatit të tij 3-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. Por Presidenti shkruante në twitter se “askush nuk ka qenë më i ashpër sesa administrata Trump ndaj Rusisë”, duke pretenduar se Moska “ishte argëtuar” gjatë kohës së ish-Presidentit Barack Obama dhe nënpresidentin Joe Biden, ky i fundit kundërshtari i Trump për zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor.

Udhëheqësi amerikan sfidoi gazetën duke i bërë thirrje “të zbulojë burimin anonim” të informacionit. “Vë bast që s’mund ta bëjë, ky “person” me gjasë nuk ekziston”, shkruante Trump.

Moska i ka cilësuar “akuza të pabaza dhe anonime”. Ambasada ruse në Uashington tha se artikulli i “New York Times” ka “çuar tashmë në kërcënime të drejtpërdrejta” ndaj jetës së punonjësve në ambasadat ruse në Uashington dhe Londër.

Një zëdhënës i Talebanëve, Zabihullah Mujahid i hodhi poshtë raportet: “Informacionet rreth këtyre lloj marrëveshjesh me agjencinë ruse të zbulimit janë të pabaza. Objektivat tona për vrasje e atentatet ishin të përcaktuara vite më parë dhe i kemi bërë bazuar tek burimet tona”, tha ai duke shtuar se “kjo gjë ndryshoi pas marrëveshjes sonë (talibanëve) me amerikanët jeta e të cilëve është e sigurt dhe ne nuk po i sulmojmë ata”.

Në fillim të këtij viti SHBA dhe grupi Taliban nënshkruan një “marrëveshje me qëllim paqen” në Afganistan pas më shumë se 18 vitesh konflikti. Aleatët e Amerikës dhe NATO-s ranë dakord se do t’i tërheqin të gjitha trupat deri vitin e ardhshëm nëse militantët do t’i qëndrojnë marrëveshjes. Trump tha se kishte qenë një “udhëtim i gjatë dhe i vështirë” në Afganistan, por se ka ardhur koha pas gjithë këtyre viteve që njerëzit tanë të kthehen në shtëpi./abcnews.al