Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për mungesë përgatitjeje për sulmin e fundjavës nga grupi militant palestinez, Hamas, si pasojë e të cilit u vranë rreth 1.200 izraelitë.
Duke folur për Fox News, Trump, i cili i prin garës për t’u nominuar kandidat për president nga radhët e republikanëve për zgjedhjet e 2024-ës, tha se Netanyahu “është lënduar shumë keq” nga ky sulm, shkruan REL.
“Ai nuk ishte i përgatitur. Ai nuk ishte përgatitur dhe Izraeli nuk ishte përgatitur. Me Trumpin, atyre nuk do t’iu nevojitej fare të përgatiteshin”, theksoi ai.
Trump i bëri këto komente në një kohë kur Izraeli ende po i mbledh trupat e të vdekurve dhe ende nuk e ka marrë veten nga sulmi befasues dhe njëri prej sulmeve më shkatërruese në historinë e vet.