Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për mbrojtjen e monumenteve, përkujtimoreve dhe statujave.
“Pata privilegjin të nënshkruaja një Urdhër Ekzekutiv për mbrojtjen e monumenteve amerikane, përkujtimoreve dhe statujave dhe për të luftuar dhunën kriminale të kohëve të fundit. Dënime të gjata me burg për këto veprime të paligjshme kundër vendit tonë madhështor!”, shkroi ai në Twitter.
Zoti Trump kishte premtuar në fillim të javës se do të merrte masa pasi policia frenoi një përpjekje të protestuesve për të rrëzuar një statujë të ish-presidentit Andrew Jackson në një park pranë Shtëpisë së Bardhë.
Sipas urdhrit, prokurori i përgjithshëm duhet të ndjekë penalisht çdo person apo grup që shkatërron ose vandalizon një monument, memorial ose statujë. Ligji federal autorizon një dënim deri në 10 vite burg për “dëmtimin e qëllimshëm” të pasurive federale.
Disa javë pas vdekjes së George Floyd-it , disa monumente të konfederatës në Shtetet e Bashkuara janë dëmtuar ose rrëzuar nga demonstruesit.
Policia në Uashington shtyu me forcë një grup protestuesish të hënën vonë, të cilët po përpiqeshin të rrëzonin një statujë të presidentit Andrew Jackson në një park pranë Shtëpisë së Bardhë.
Përpjekja për të rrëzuar statujën e Jackson është pjesë e protestave të vazhdueshme kundër racizmit të shkaktuar nga vdekja e George Floyd, një afro-amerikan që vdiq ndërsa ishte në paraburgim në qytetin e Minneapolis muajin e kaluar. Protestat janë pjesë e një reagimi të ri kundër simboleve të perceptuara të supremacisë së bardhë, duke përfshirë statuja, monumente dhe flamurin e Konfederatës, që përfaqësonte shtetet jugore që u ndanë nga Veriu gjatë Luftës Civile 1861-65.
Shumë statuja dhe monumente janë dëmtuar ose shkatërruar nga protestuesit, ose janë hequr nga zyrtarët lokalë në përgjigje të protestave./abcnews.al