Trump në OKB: Të ndalim etjen e Iranit për gjak

schedule22:44 - 24 Shtator, 2019

schedule 22:44 - 24 Shtator, 2019

Irani dhe Kina kanë qenë në fokus të fjalimit të presidentit Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Sa i takon Republikës Islamike, Trump u bëri thirrje të gjitha vendeve të kontribuojnë në ndaljen e “etjes së saj për gjak”. Ndërsa Pekinit i bëri thirrje që të bëjë kujdes me menaxhimin e situatës në Hong Kong.

Presidenti amerikan Donald Trump denoncoi të martën atë që e quajti “etjen për gjak” të Iranit dhe u bëri thirrje vendeve të tjera që të bashkojnë forcat me Shtetet e Bashkuara për t’i bërë presion Republikës Islamike. Megjithatë, duke mbajtur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Trump nënvizoi se ka ende shanse që çështja iraniane të zgjidhet në rrugë paqësore. “Amerika e di se kushdo mund të bëjë luftë, por vetëm më kurajozët zgjedhin paqen”, deklaroi Trump. Në shfaqjen e tij të tretë vjetore në Pallatin e Qelqtë, Trump foli me një ton më të qetë krahasuar me atë të përdorur në fjalimet e mëparshme. Ai e vuri theksin tek dëshira e Shteteve të Bashkuara për marrëdhënie paqësore me të gjithë dhe për një ndërveprim kolektiv dhe jo të njëanshëm. Duke kujtuar sulmet e 14 shtatorit ndaj Arabisë Saudite, Trump u shfaq më i përmbajtur sa i takon opsionit ushtarak, por premtoi se do të vazhdojë të ushtrojë presion ekonomik ndaj Teheranit përmes sanksioneve, derisa ai të heqë dorë nga ambicjet bërthamore. “Të gjitha vendet e kanë për detyrë të veprojnë. Asnjë qeveri e përgjegjshme nuk mund të ushqejë etjen e Iranit për gjak. Përsa kohë qasja kërcënuese e Iranit do të vazhdojë, sanksionet nuk do të hiqen. Përkundrazi, ato do të forcohen”, tha Trump. Presidenti amerikan pati një mesazh edhe për Kinën dhe presidentin e saj Xi Jinping, me të cilin është përfshirë në një luftë tregtare, që po dëmton ekonomitë e të dy vendeve. Ai nënvizoi se, e gjithë bota po e shikon se si Pekini po menaxhon protestat masive në Hong Kong, që kanë rritur frikën për një reagim agresiv nga qeveria kineze. “Mënyra se si Kina zgjedh të menaxhojë këtë situatë e tregon fare qartë se cili do të jetë roli i saj global në të ardhmen. Ne të gjithë kemi besim tek presidenti Xi, si një lider i madh”, tha Trump. Kreu i Shtëpisë së Bardhë vijoi më tej duke thënë se, Kina po përfiton nga rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, që i japin Pekinit një trajtim të veçantë si “ekonomi në zhvillim”. “Shpresoj se do të arrijmë një marrëveshje në dobi të të dy vendeve. Por, sikurse e kam bërë të qartë dhe më parë, nuk do të pranoj asnjë marrëveshje në dëm të popullit amerikan”, theksoi Trump. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!