Janë bërë publik emrat e anëtarëve të Bordit të Paqes, organi që do të drejtojë përkohësisht Gazën dhe do të mbikëqyrë procesin e rindërtimit.
Në krye të bordit është vetë presidenti amerikan Donald Trump, i cili ndërmjetësi për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit me planin e tij me 20 pika.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe ish kryeministri britanik Tony Blair janë dy nga anëtarët themelues.
I dërguari i Trump në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, do të jenë gjithashtu pjesë e bordit ekzekutiv themelues.
Gjithashtu në bordin ekzekutiv themelues janë Marc Roëan, kreu i një firme private kapitali, kreu i Bankës Botërore Ajay Banga dhe një këshilltar i sigurisë kombëtare të SHBA, Robert Gabriel.
Çdo anëtar do të ketë një portofol kritik për stabilizimin dhe suksesin afatgjatë të Gazës, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa anëtarët e tjerë do të emërohen në vijim.
Ndërkohë një tjetër organizëm drejtues do të jetë një komitet i veçantë teknokratik palestinez prej 15 anëtarësh, i quajtur Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës. Ky institucion i përkohshëm është i ngarkuar me menaxhimin e qeverisjes së përditshme të Gazës së pasluftës.
Ali Shaath, një ish-zëvendësministër në Autoritetin Palestinez i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar që nuk janë nën kontrollin izraelit, do të kryesojë atë komitetin.
Ndërkohë sipas planit të Donald Trump, një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi do të vendoset gjithashtu në Gaza për të trajnuar dhe mbështetur forcat policore palestineze.
Plani i paqes i Shteteve të Bashkuara hyri në fuqi në tetor dhe që atëherë ka hyrë në fazën e tij të dytë, por mbetet një mungesë qartësie në lidhje me të ardhmen e Gazës dhe 2.1 milionë palestinezëve që jetojnë atje.


