Trump në Davos, “tërbon” palestinezët

schedule18:22 - 25 Janar, 2018

schedule 18:22 - 25 Janar, 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se procesi i paqes në Lindjen e Mesme është i pamundur përsa kohë palestinezët nuk pranojnë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Në Davos, Trump është takuar edhe me kryeministren britanike May, me të cilën ka hedhur poshtë zërat për një ftohje të marrëdhënieve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vënë në dyshim rifillimin e negociatave të paqes mes Izraelit dhe Palestinës, duke bërë përgjegjëse këtë të fundit për ngërçin e procesit. Duke folur nga Davosi, ku është takuar me kryeministrin izraelit Benyamin Netanyahu, Trump ka deklaruar se palestinezët kanë treguar mungesë respekti ndaj Shteteve të Bashkuara pas vendimit për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit.

“Ata duhet të tregojnë respekt ndaj Shteteve të Bashkuara, ndryshe nuk shkojmë më tej”, ka thënë Trump.

Ndërkohë, shefi i Shtëpisë së Bardhë është takuar edhe me kryeministren britanike, Theresa May, me të cilën, siç është shprehur ai, ka marrëdhënie shumë të mira.

“Ndjesia është reciproke, ne e pëlqejmë shumë njëri-tjetrin. Jemi në të njëjtën linjë sa i përket respektit”, ka thënë Trump, duke mohuar zërat për një ftohje të marrëdhënieve me shefen e qeverisë britanike.

Presidenti amerikan ka nënvizuar se tregtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë do të intensifikohet, edhe pse aktualisht Mbretëria e Bashkuar po punon për të projektuar tërheqjen nga Bashkimi Europian.

“Ky proces po fillon teksa ne flasim. Shtetet e Bashkuara dhe Britania janë të lidhura në ije ushtarakisht dhe ndajnë të njëjtat ide dhe ideale”, ka shtuar Trump./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!