Presidenti amerikan Donald Trump u ka kërkuar ligjvënësve republikanë që të votojnë për publikimin e dosjeve të Jeffrey Epstein, ish-financieri I dënuar për abuzim seksual me të mitur dhe ndërroi jetë në burg në vitin 2019.
Në një ndryshim 360% të qëndrimit të tij, Trump shkroi në një postim në rrjetet sociale se Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve duhet të votojnë pro, pasi nuk ka asgjë për të fshehur.
“Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duhet të votojnë për të publikuar dosjet e Epstein, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur, dhe është koha të largohemi nga ky mashtrim demokrat i kryer nga të çmendurit e së majtës radikale.”
Trump përsëriti se kjo çështje po përdoret për të devijuar vëmendjen nga puna e partisë së tij. Ai shtoi se Departamenti I Drejtësisë ka publikuar tashmë mijëra faqe dhe po shqyrton lidhjet e Epstein me demokratët.
Ky ndryshim vjen në një kohë kur një pjesë e madhe e republikanëve e kanë kritikuar Trump për mos publikimin e dosjeve, një nga premtimet që bëri gjatë fushatës për një mandate të dytë.
Rreth 20 mijë emaile të publikuara së fundi nga Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, kanë shtuar dyshimet për përfshirjen e Trump në veprat kriminale të Epstein dhe kanë konfirmuar lidhjen e ngushtë mes të dyve. Në këto emaile, ku emri I Trump përmendet më shumë se 1600 herë, lihet të kuptohet se presidenti ishte në dijeni të trafikimit të të miturave me qëllim abuzimin skesual.
Dhjetëra republikanë kanë sinjalizuar se janë të gatshëm të dalin nga radhët dhe të votojnë në favor të një projektligji që do ta detyronte qeverinë amerikane të publikonte të gjitha dokumentet mbi Epstein dhe hetimet penale ndaj tij.
Mbështetësit e projektligjit duket se kanë vota të mjaftueshme që ai të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve këtë javë, megjithëse është e paqartë nëse do të kalojë në Senat, dhomën tjetër të Kongresit Amerikan.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Nju Jork në vitin 2019, në atë që një mjek ligjor më vonë e konsideroi vetëvrasje./abcnews.al

