Presidenti i SHBA Donald Trump e ndryshoi planin për shpërndarjen e grupit të punës për koronavirusin.
Trump njoftoi se do ta mbajë grupin e punës për një kohë të pacaktuar, por me detyrën që të përqendrohet tek ruajtja e sigurisë për amerikanët dhe rihapja e ekonomisë së vendit.
Shtëpia e Bardhë kishte planifikuar ta mbyllte brenda këtij muaji grupin e punës ndërsa shifra e rasteve të reja të konfirmuara në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet me më shumë se 20,000 në ditë kurse numri i të vdekurve qëndron mes 1,000 dhe 2,000.
Nënpresidenti Mike Pence tha se administrata po shqyrtonte fundin e majit ose fillimin e qershorit si afat për ta zhvendosur menaxhimin e koronavirusit përsëri tek agjencitë federale në vend të grupit të punës. Ai e quajti këtë hap “pasqyrim të përparimit të jashtëzakonshëm që kemi bërë si vend”.