Personat transgjinorë në ushtri janë një rrezik për efikasitetin e saj. Me këtë deklaratë, Shtëpia e Bardhë konfirmoi vendimin e Presidentit amerikan Trump për të ndaluar personat transgjinorë që të jenë pjesë e ushtrisë amerikane.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka urdhëruar që të ndalohen persona transgjinorë për të qenë pjesë e ushtrisë amerikane, me përjashtime të kufizuara vetëm në ndonjë rast të jashtëzakonshëm. Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë me anë të një deklarate për shtyp, ku theksohet se mbajtja në radhët e ushtrisë të personave, që kërkojnë një trajtim të caktuar mjekësor është një rrezik i konsiderueshëm për efikasitetin e ushtrisë.
Një vit më parë, presidenti Trump e kapi në befasi Pentagonin, kur deklaroi se kishte ndërmend të anulonte vendimin e marrë nga paraardhësi i tij Barack Obama, i cili lejonte regjistrimin në ushtri dhe të personave transgjinorë. Një deklaratë, e cila u prit negativisht nga gjykata të ndryshme federale në vend. Përgjigja e Pentagonit në atë kohë ishte mbajtja në ushtri e personave transgjinorë, që ishin regjistruar më parë dhe të lejonin regjistrimin e të rinjve duke filluar nga data 1 Janar./abcnews.al

