Trump sot mban fjalimin e parë: Një Amerikë e sigurtë, e fortë e krenare

schedule10:54 - 30 Janar, 2018

schedule 10:54 - 30 Janar, 2018

Donald Trump do mbajë sot në mbrëmje fjalimin e parë si president drejtuar kombit amerikan. Përpara kongresit, Trump pritet të fokusohet tek vizioni i tij për një Amerikë të sigurtë e të fortë. Disa të zgjedhur demokratë do jenë të veshur me të zeza në shenjë solidariteti me viktimat e sulmeve seksuale.

Për më pak konvencionalin e presidentëve, ushtrimi më tradicional i politikës amerikane është një sfidë personale.

Nga tribuna e Kongresit, mbrëmjen e kësaj të marte, para miliona teleshikuesve, Donald Trump duhet të mishërojë unitetin e kombit dhe besimin tek e ardhmja. Për Trump, fjalët dhe politikat e të cilit, vazhdojnë të ndajnë thellësisht vendin, nuk është hiç i lehtë roli i përbashkuesit.  Por kjo përpjekje do shënojë një proces të ngadaltë normalizimi: teksa Presidenti po e fiton pak nga pak përmasën e funksionit të vet, vendi po mësohet gradualisht me qasjen e tij provocative e reformatore.

Tashmë në çerekun e parë të mandatit të tij, Presidenti do mbajë fjalimin e parë formal drejtuar kombit, një traditë e fiksuar në Kushtetutë dhe e respektuar në këtë formë, që prej presidentit Uidrou Uillson në 1913.

Ky rast për të evidentuar sukseset, është një ushtrim që nuk e lodh presidentin Trump. “ Ai do përmendë gjithcka ka arritur në drejtim të uljes së taksave, të krijimit të vendeve të punës, të rritjes së pagave dhe të rekordeve të arritura në Bursë” thotë një këshilltar i tij. Për Karl Rov, një ish strategjist i Xhorxh Bush, “Trump duhet të tregohet i përmbajtur e të mos i bëjë shumë komplimente vetes. Më shumë ai duhet të përgëzojë popullin amerikan dhe Kongresin.”

Tema e fjalimit të Presidentit amerikan do jetë “Të ndërtojmë një Amerikë të sigurtë, të fortë dhe krenare”. “Toni i tij do jetë bipartizan dhe me shikim nga e ardhmja”, rrëfen një nga redaktorët e tij. Përveç ekonomisë, të cilën ai synon ta clirojë sa më shumë nga pengesat, presidenti do trajtojë 4 çështjet kryesore: planin e tij për të rinovuar infrastrukturën e vendit, reformën e emigracionit, synimin e tij për barazi tregtare dhe sfidat ndërkombëtare. “Ai do e ftojë Kongresin të veproje dhe do paraqesë ide të reja” thonë burime nga Shtëpia e Bardhë, pa thënë më shumë. Mesazhi kryesor që presidenti do japë është se ai ka në vëmendje të gjithë amerikanët.

Ndërkaq në kongres, situate mes dy partive mbetet e tensionuar sa i takon sfidës së fundit për ndërprerjen e shërbimeve qeveritare apo hetimet e prokurorit special Robert Myler për ndërhyrjet e Rusisë në presidencialet e fundit.

Mendohet se disa të zgjedhur demokratë do jenë të veshur me të zeza, në shenjë solidariteti me viktimat e agresioneve seksuale, shumica e të cilëve kanë akuzuar vetë Trumpin.

Përgjigja ndaj fjalimit të Trump i është besuar të zgjedhurit të Masacusets, yllit demokrat në ngjitje, 37 vjeçarit Xho Kenedi, nipi i ish-presidentit të ndjerë./abcnews.al