Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sulmuar përsëri FBI-në duke thënë se është një instrument në duart e politikanëve që janë kundër tij. Gjithashtu përsëriti se nuk ka pasur asnjë lidhje mes ekipit të fushatës së tij me zyrtarë rusë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, vijon sulmet kundër Byrosë Federale të Investigimit. Ai, gjithashtu kritikon mediat që nuk pasqyrojnë rritjen e pagave po merren me hetimet e lidhjeve të ekipit të tij të fushatës presidenciale me Rusinë dhe ndikimin e Moskës në zgjedhjet e 2016.
“Numra shumë të mirë të punësimit dhe më në fund, pas shumë vitesh, rritje të pagave dhe askush nuk flet për këtë. Vetëm Rusi, Rusi, Rusi, pavarësisht faktit që pas një viti hetime, nuk ka pasur lidhje!”, shkruan Trump në një mesazh në tuitër.
Ndërsa më tej ai vijon: “Memorandumi prej 4 faqesh i publikuar të premten raporton faktin shqetësues se si FBI dhe FISA janë përdorur për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016 dhe atë që do të pasonte. FBI dështoi të informojë gjykatën FISA se fushata e Klinton kishte financuar dosjen. FBI u bë një instrument i aktorëve politikë anti-Trump. Kjo është e papranueshme në një demokraci dhe duhet të alarmojë të gjithë ata që dëshirojnë që FBI të jetë një zbatues jopartiak i ligjit”.
Ndërsa më tej Trump nënvizon se Byroja Federale e Investigimit i ka fshehur Kongresit amerikan pjesën më të madhe të këtyre fakteve. Ndërkohë, presidenti amerikan publikoi të premten memorandumin aq të kontestuar.
Demokratët mendojnë se kjo është një nismë e Trump për të diskredituar hetimet për çështjen “Russigate”, që kryesohen nga prokurori special Robert Mueller./abcnews.al