Trump kërkon marrëdhënie të reja me Putin, DASH vendos sanksione

schedule22:04 - 8 Gusht, 2018

schedule 22:04 - 8 Gusht, 2018

Marrëdhëniet me Rusinë duket se po përçajnë Shtetet e Bashkuara. Teksa presidenti Trump i ka dërguar një letër homologut Putin për të intensifikuar marrëdhëniet, Departamenti i Shtetit i ka vendosur “shkopin ndër rrota” duke njoftuar të martën sanksione të reja ndaj Moskës.

Presidenti amerikan Donald Trump vazhdon përpjekjet e tij, tashmë për të thelluar marrëdhëniet me homologun rus Vladimir Putin, pas takimit të Helsinkit që shënoi shkrirjen e akujve mes tyre. Mediat amerikane raportojnë se Trump i ka dërguar një letër kreut të Kremlinit, e cila është dorëzuar përmes një senatori që në ditët e fundit vizitoi Moskën. Përmes një postimi në Twitter, senatori Rand Paul ka bërë me dije se, në mesazhin e tij Trump kërkon një angazhim të mëtejshëm dypalësh në luftën kundër terrorizmit, në bashkëpunimin legjislativ dhe riaktivizimin e marrëdhënieve kulturore. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, i cili ka saktësuar se letra është dorëzuar përmes kanaleve diplomatike dhe do të jetë në duart e presidentit së shpejti.

Por, ndërsa Trump vijon të ndjekë trajektoren e tij në marrëdhëniet me Kremlinin, ajo e Departamentit amerikan të Shtetit duket se bie ndesh me të. Ditën e mërkurë, Departamenti ka bërë me dije se do të vendosë sanksione të tjera ndaj Rusisë për shkak të helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe së bijës marsin e kaluar në Angli. Zëdhënësja Heather Nauert ka deklaruar se tashmë është vërtetuar se pas sulmit me agjentin kimik Noviçok në Salisburi qëndron Rusia. Sergei Skripal dhe e bija e tij Yulia u gjetën pa ndjenja në një stol në Salisburi. Ata u shtruan në spital ku pas disa javë mjekime u rekuperuan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!