Trump kërcënon përsëri regjimin e Assad

schedule11:50 - 15 Prill, 2018

schedule 11:50 - 15 Prill, 2018

SHBA do të bombardojë përsëri Sirinë nëse do të ketë sulme të reja me armë kimike. Kërcënimi ka ardhur nga Presidenti amerikan, Donald Trump. Ndërkohë, në një mesazh në Twitter ritheksoi se operacioni në Siri është kryer me shumë sukses.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar qeverinë e Sirisë se SHBA është në gatishmëri për të goditur përsëri nëse kryen sulme të reja kimike. Kërcënimi erdhi pasi Amerika, Britania e Madhe dhe Franca goditën tre zona siriane në përgjigje të një sulmi të dyshuar kimik në qytetin e Dumës një javë më parë. Siria mohon të ketë kryer diçka të tillë dhe thotë se sulmi u fabrikua nga rebelët.

Pas bombardimeve në Siri, Trump ka telefonuar aleatët Emmanuel Macron dhe Theresa May. Kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka falenderuar për mbështetjen në sulmin kundër arsenalit të armëve kimike të Assad. Shtëpia e Bardhë konfirmoi më pas se 3 liderët e dakordësuan në faktin që bombardimet kanë patur sukses dhe ishin të nevojshëm për të dobësuar programin e armëve kimike të Damaskut.

“Bombardimi në Siri është kryer në një mënyrë kaqë perfekte, me një saktësi të tillë, ku e vetmja mënyrë për mjetet e informimit që shpërndajnë lajme false për ta minimizuar ishte përdorimi i fjalëve të mija ‘mision i përmbushur’”, shkruan Trump në një mesazh në Twitter duke iu përgjigjur komenteve ironike të mediave lidhur me shprehjen “mision i përmbushur”.

Zhvillime të rëndësishme sa i përket kësaj çështjeje ka pasur edhe në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Ambasadorët kanë refuzuar një rezolutë të Rusisë, aleatit kryesor të Assad, që dënon sulmet në Siri. I dërguari i Moskës në OKB, Vassily Nebenzia, akuzoi SHBA-të, Britaninë dhe Francën se kanë shkelur të ligjet ndërkombëtare me bombardimin e fundit. Ndërsa ambasadorja amerikane, Nikki Haley, tha se operacioni ishte “i justifikuar, legjitim dhe i duhuri”.

Ndërkohë, CNN mëson se vendet perëndimore po i japin një shtyse tjetër nismës në OKB për t’i dhënë fund arsenalit të armëve kimike në Siri. Për këtë është përgatitur nga Franca, një rezolutë që kërkon hetimin e ngjarjeve të fundit. Kundërpërgjigja e SHBA, Britanisë së Madhe dhe Francës erdhi pasi disa ditë më parë në Siri u vranë rreth 100 persona dhe 500 të tjerë u helmuan nga sulmi me armë kimike që dyshohet të jetë kryer nga regjimi sirian i Assad./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!