Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa “masive” ndaj produkteve kineze, duke akuzuar Pekinin për veprime armiqësore në kufizimin e eksportit të metaleve të rralla, të domosdoshme për industrinë amerikane.
Pas këtyre deklaratave, Wall Street regjistroi rënie të ndjeshme, ndërsa tensionet publike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës u përshkallëzuan, duke rritur rrezikun e një lufte të re tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
“Nuk e mendoja se do të arrinte deri këtu, por ndoshta, si me shumë gjëra, ka ardhur momenti”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social, duke shtuar se: Në fund të fundit, edhe pse mund të jetë e dhimbshme, kjo do të jetë shumë e dobishme për SHBA-në.
Trump njoftoi se një nga politikat që po shqyrtohet në këtë moment është rritja “masive” e tarifave për produktet kineze që hyjnë në SHBA. Ai shtoi se po merren në konsideratë edhe masa të tjera të ashpra kundër Kinës.
Për më tepër, Trump sugjeroi se takimi i planifikuar me presidentin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut më vonë këtë muaj mund të mos ndodhë, duke thënë se “duket se nuk ka arsye” për një takim të tillë.



