Trump: Kam mbajtur premtimin për Jeruzalemin

schedule18:53 - 8 Dhjetor, 2017

schedule 18:53 - 8 Dhjetor, 2017

Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbrojtur vendimin e tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit duke thënë se ka mbajtur premtimin e tij elektoral. Gjatë të premtes, ai celebroi në Shtëpinë e Bardhë festën e besimit hebre.

“Kam mbajtur premtimin tim elektoral, ndërsa të tjerët nuk e kanë bërë”. Në këtë mënyrë dhe me anë të Tuiterit, Presidenti amerikan, Donald Trump i është rikthyer përsëri njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit dhe vendimit për transferimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi. Mesazhi është i shoqëruar edhe me një video, në të cilën shfaqen ish-presidentët Bill Klinton, Xhorxh Ë. Bush dhe Barak Obama, që konfirmojnë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, por që nuk e kanë zyrtarizuar kurrë.
Videoja e Klinton është e vitit 1992, e Xhorxh Ë. Bush e vitit 2000 dhe e Barak Obamës në 2008. Më pas shfaqet dhe Trump, i cili në fushatën presidenciale të 2016-s premton të njëjtën gjë. Në fund, Presidenti amerikan rishfaq videon e njoftimit, ku ai njohu zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Mesazhi i tij vjen pasi të premten në Uashington, Trump celebroi “Hanukkah”, festën e dritave hebraike në Shtëpinë e Bardhë. Ai e cilësoi një festë të veçantë duke marrë parasysh vendimin e tij shumë të kundërshtuar. “Në këtë moment mendoj për atë që po ndodh dhe për gjithë dashurinë që është në Izrael dhe në Jeruzalem”, theksoi Trump ndërsa afër tij gjendej dhëndri dhe këshilltari, Xhared Kushner dhe vajza Ivanka, e cila është konvertuar në Hebraizëm.

“Për të transferuar ambasadën amerikanë në Jeruzalem do të duhen të paktën dy vite”, ka bërë me dije sekretari amerikan i shtetit, reks Tillerson. Shefi i diplomacisë së Shteteve të Bashkuara nënvizoi se statusi përfundimtar i Jeruzalemit do të përcaktohet në negociatat mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Ndërkohë, kreu më i lartë i islamit suni, Ahmed Al Tajib theksoi se duhet vepruar shpejt për të bllokuar aplikimin e vendimit për të transferuar ambasadën në Jeruzalem. Këtë thirrje ai ua drejtoi liderëve dhe qeverive të vendeve të botës islame, Ligës Arabe, Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe Kombeve të Bashkuara./abcnews.al