Trump i ‘vë syrin’ Kanadasë dhe Groenlandës/ Ekspertët: Turbulencë gjeopolitike. Do të legjitimoheshin veprimet e Rusisë në Ukrainë

schedule21:31 - 9 Janar, 2025

schedule 21:31 - 9 Janar, 2025

Deklaratat e Donald Trump për të marrë Groenlandën, kanalin e Panamasë dhe Kanadanë kanë shkaktuar reagime të ashpra. Lidhur me këtë po diskutohet edhe në “360 gradë”, ku ekspertët thanë se një gjë e tillë do legjitimonte veprimet e Rusisë në Ukrainë apo synimet kineze në Tajvan.

Kapiteni Artur Meçollari i cilësoi deklaratat e Trump si një “ëndërr e bukur”. Kapiteni Dritan Goxhaj thotë se kjo lëvizje e Trump ka për qëllim rikthimin e hegjemonisë amerikane, pas qorrsokakut ku i ka çuar presidenti në largim Joe Biden Shtetet e Bashkuara por edhe NATO-n në raport me Rusinë.

Eksperti i sigurisë Xhavit Shala u shpreh se deklarata e Trump është një turbulencë gjeopolitike.

Pjesë nga diskutimi:

Dritan Goxhaj: Për momentin është i vetmi president i SHBA që ka parë qartësisht që në qorrsokakun që futi Amerikën Biden me të tjerë në luftën në Ukrainë dhe NATO-n klundër Rusisë, e çoi drejt humbjes së hegjemonisë. E vetmja mënyrë për ta ringritur hegjemoninë amerikane është ekspansionizmi, një veprim i detyruar pavarësisht se në çështje globale nuk do të sillte efekt të madh. Do të konfirmohej ato territore që ka marrë Rusia në Ukrainë dhe nuk do të mundet nesër që të ndalë Kinën për të marrë Tajvanin sepse e njëjta logjikë që thotë Trump që më duhet për çështje sigurie kombëtare, të njëjtën logjikë përdor edhe Rusia për Krimenë dhe Donbassin. Kemi tre perandori, që do të mbizotërojnë globin. Me ardhjen e Trump në pushtet, mbaroi periudha 30 vjeçare e demokracisë liberale.

Xhavit Shala: Në këndvështrimin tim, më duket turbulencë gjeopolitike në hapësirën euro atlantike. Groendlanda dhe Kanadaja janë pjesë e hapësirës dhe Trump në raport me Amerikën kërkon ta bëjë më të fortë dhe mendon se do ta bëjë më të fortë e të madhe duke shfaqur këto pretendime. Nuk është rruga e duhur, pasi do të hapë problem të tjera. Ka reagime nga shtetet e Evropës që nuk do të ndodhë kurrë kjo që thotë Trump. Pra, synon ta bëjë Amerikën të madhe por mesa duket po dëmton vetë NATO-n. Gjithçka këtu rrotullohet ballafaqimi me interesat kineze dhe ruse, raportet e këtyre fuqive me pasuritë e oqeanit të ngrirë të Veriut. Nuk mendoj se është mesazhi i duhur për botën. Për interesa të sigurisë kombëtare, Kina kërkon Tajvanin. Rusia kërkon këto territore dhe kërkon akoma më tepër edhe vende balltike. Nëse gjykohet me logjikën e Trump, do shkojmë drejt një përplasjeje.

Artur Meçollari: Ëndërr e bukur që ia vlen kur e dëgjon. Trump nuk ka vizion por ëndrra. Trump pa plan, ka vetëm një ëndërr. Deklaratat e Trump kanë kryer dy efekte, i pari është tërheqje e vëmendjes nga Ukraina apo zonat e tjera ku janë në luftë. E dyta, kjo lloj doktrine nuk bën gjë tjetër, legjitimon veprimet që ka kryer Rusia në Ukrainë apo ato që mund të kryejë Kina në Tajvan. Sepse ndryshimi i kufijve me forcë apo me presion legjitomohet tashmë. Për çështje të sigurisë kmbëtare çdo shtet gëzon të drejtën e të marrë territore. Këtu nuk legjitimohet më vetëm rasti i Ukrainës, por të gjitha objektivat që nesër mund të ketë Rusia.

Ledion Krisafi: Nga pikëpamja e SHBA ka një farë logjike sepse marrja e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë do të shtonte rëndësinë strategjike të SHBA, do të ishte një vazhdim i doktrinës Moro, ku në hapësirën perëndimore do të ishte vetëm SHBA. Kanadaja është thuajse e pamundur të ndodhë diçka e tillë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!