Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka kthyer në ligj projektbuxhetin që parashikon mbi 1 trilion dollarë shpenzime publike. Fillimisht Trump kishte kërcënuar me vendosjen e vetos ndaj buxhetit, për shkak se nuk merrte parasysh kërkesën e tij për financimin e murit me Meksikën.
Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur draftin e kaluar nga Kongresi që parashikon 1.3 trilion dollarë shpenzime publike, duke i dhënë fund ankthit të krijuar nga vetë ai me kërcënimin se do të vendoste veton dhe rrjedhimisht të çonte në një tjetër pezullim të shërbimeve federale. Sipas mediave amerikane, Trump e përdori kërcënimin e tij për të tërhequr vëmendjen pas pakënaqësive të tij për çështjen e emigrantëve, edhe pse firmosja ishte e pritshme për shkak se parashikon rritjen e shpenzimeve ushtarake, një nga prioritetet kryesore të tij. “Ka shumë gjëra që nuk më pëlqejnë tek ky projektligj.
Nuk do të firmos kurrë më një draft të tillë. Të mos e lexojë askush”, ka thënë Trump për gazetarët, të cilëve u tregoi 2 mijë faqet e draftit, të vendosura në një dosje të purpurt. Trump ka qenë i pakënaqur se Kongresi nuk kishte mbështetur financimin e ndërtimit të murit në kufirin SHBA-Meksikë, një projekt që do të kushtonte 1.6 miliard dollar për 6 muaj punë, ndërkohë që kreu i shtetit kishte kërkuar 25 miliardë. Trump ka qenë gjithashtu në konflikt me demokratët në lidhje me çështjen e njohur si “ëndrrimtarët”, që u referohet refugjatëve të sjellë në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur, të cilët ai ka premtuar se do t’i dëbojë. Pak kohë nga marrja e detyrës, Trump anuloi programin që i jep kësaj kategorie të emigrantëve leje për punë dhe i mbron nga depërtimi, një vendim ky që aktualisht po diskutohet në gjykatë./abcnews.al