Donald Trump bëri kthesën e papritur brenda një dite. Pasi kërkoi sërish me ngulm Groenlandën në samitin e Davosit në Zvicër, presidenti amerikan hapi rrugën për një zgjidhje tjetër, që ndoshta mund të ulë tensionet globale që kanë arritur kulmin javët e fundit.
Pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump njoftoi se është formuar korniza e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Groenlandën dhe të gjithë rajonin e Arktikut.
Nisur nga ky zhvillim, presidenti amerikan njoftoi se nuk do të vendosë tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi ndaj 7 vendeve të Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar, që kishin kundërshtuar ambiciet e tij për ishullin gjysmë-autonom danez.
Bazuar në një takim me Mark Rutte, kemi formuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Groenlandën. Kjo zgjidhje do të jetë e shkëlqyer për SHBA dhe të gjitha vendet e NATO-s. Bazuar në këtë mirëkuptim, unë nuk do të vendos tarifat që do të hynin në fuqi më 1 shkurt.
Bazuar në një takim shumë produktiv me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kemi formuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Groenlandën dhe me të gjithë Rajonin Arktik. Kjo zgjidhje, nëse arrihet, do të jetë një zgjidhje e shkëlqyer për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e NATO-s. Bazuar në këtë mirëkuptim, unë nuk do të vendos tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt.
Diskutime shtesë janë duke u zhvilluar në lidhje me Kupolën e Artë, një mburojë mbrojtjeje që përballon çdo lloj sistemi armësh, që presidenti amerikan planifikon.
Zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff dhe zyrtarë të tjerë do të jenë përgjegjës për negociatat në lidhje me këtë çështje të ndjeshme.
Lëvizja e Trump erdhi pas fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror, gjatë të cilit Trump kritikoi Bashkimin Europian dhe pretendoi se askush tjetër, veç Shteteve të Bashkuara, nuk mund ta mbrojë Groenlandën dhe Arktikun nga Kina dhe Rusia.
Ai përjashtoi një ndërhyrje ushtarake në ishull, por nuk hoqi dorë nga ideja për ta blerë dhe madje shtoi se e meriton Groenlandën si një shpërblim për gjithçka që ai dhe administrata e tij kanë bërë për NATO-n.
Menjëherë pas fjalimit të Trump, Bashkimi Europian konfirmoi se kishte pezulluar marrëveshjen tregtare me Shtetet e Bashkuara që u arrit në korrik të vitit të kaluar.
Bernd Lange, kryetari i Komitetit të Tregtisë Ndërkombëtare të Parlamentit Europian, tha se duke pasur parasysh kërcënimet e vazhdueshme dhe në rritje ndaj Danimarkës, Groenlandës dhe aleatëve europianë, nuk ka mbetur alternativë tjetër veçse të pezullohet puna për marrëveshjen.
Marrëveshja tregtare u arrit në korrik gjatë një takimi mes Ursula von der Leyen dhe Donald Trump. Thelbi i marrëveshjes ishte një kufizim i tarifave amerikane të aplikuara për shumicën e importeve nga unioni në vetëm 15% dhe nuk është ende e qartë nëse Bashkimi Europian do t’i rikthehet zbatimit të saj pas hapit pas nga Trump.


