Trump: Gjithçka gati për takimin me Kim… por nuk i dihet kurrë!

schedule22:11 - 7 Qershor, 2018

schedule 22:11 - 7 Qershor, 2018

Donald Trump ka deklaruar se gjithçka është gati për takimin me liderin koreano-verior. Megjithatë, presidenti është shprehur i vetëdijshëm se gjërat mund të ndryshojnë, ndaj ka paralajmëruar më shumë sanksione në rast të një skenari negativ.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të enjten se gjithçka është gati për takimin mes tij dhe Kim Jong Un më 12 Qershor në Singapor. Deklaratën e tij Trump e ka bërë nga Shtëpia e Bardhë, ku ka pritur kryeministrin japonez Shinzo Abe, me të cilin ka diskutuar për çështjen e Koresë së Veriut.

“Takimi është caktuar, gjithçka është gati. Por gjërat edhe mund të ndryshojnë, kësaj bote nuk i dihet kurrë”, ka thënë Trump.

Presidenti ka shtuar se Korea e Veriut duhet patjetër të heqë dorë nga armët bërthamore dhe ka paralajmëruar se nëse do të jetë e nevojshme Shtetet e Bashkuara do të vendosin më shumë sanksione.

“Ne nuk mund t’i heqim sanksionet. Ato janë një armë e fuqishme dhe unë mund të vendos të tjera, por kam zgjedhur të mos e bëj këtë herë. Të shohim ç’do të ndodhë”, ka thënë Trump.

Sidoqoftë, presidenti amerikan është shprehur optimist se takimi me liderin koreano-verior do të jetë shumë i frtyshëm. Nga ana tjetër, edhe kryeministri Abe ka shprehur shpresën e tij se samiti i Singaporit do të jetë një moment kthese për Azinë veri-lindore./abcnews.al