Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare në Portland, Oregon dhe ka autorizuar përdorimin e forcës së plotë për të shtypur protestat.
Presidenti amerikan pretendoi se ky veprim do të ndihmonte në mbrojtjen e objekteve të Drejtorisë së Doganave dhe Emigracionit, e cila ka pasur punën kryesore për kapjen dhe dëbimin e emigrantëve të paligjshëm.
Hapi i fundit shënon një zgjerim të mëtejshëm të vendosjes së trupave në qytetet amerikane, teksa administrata e Trump vazhdon një goditje të fortë ndaj emigracionit të paligjshëm.
Më herët këtë vit, Trump vendosi Gardën Kombëtare në Los Angeles dhe Washington. Agjentët federalë pritet të mbërrijnë në Memphis të Tenesi javën e ardhshme.
Lëvizja ka tërhequr reagime edhe nga ligjvënësit demokratë, të cilët thanë se nuk kishte nevojë që trupat federale të vendoseshin në Portland.
Zyra e Doganave dhe Emigracionit në Portland është vënë në shënjestër të protestuesve që nga fillimi i qershorit, duke çuar ndonjëherë në përleshje të dhunshme.
Ndërkohë në një tjetër zhvillim nga Shtetet e Bashkuara, mediat amerikane raportojnë se FBI ka pushuar nga puna një grup agjentësh që u fotografuan duke u gjunjëzuar në një protestë për drejtësi racore për vdekjen e George Floyd.
Bëhet fjalë për 15-20 agjentë që thuhet se u gjunjëzuan së bashku me të tjerët gjatë një demonstrate në vitin 2020, kur Floyd u vra nga një oficer policie, ngjarje që solli protesta të mëdha në SHBA por edhe vende të tjera të botës.

