Presidenti Trump ka marrë masa për t’iu kundërpërgjigjur kritikave që bëhen në adresë të tij në librin e ardhshëm të ish-shefit të FBI-së. Ndërkohë republikanët kanë paralajmëruar verifikimin e fakteve që do të publikojë James Comey.
Mbështetës të presidentit Donald Trump kanë ndërmarrë një fushatë online kundër librit të ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, që pritet të dalë në shitje së shpejti. Kështu, Komiteti kombëtar republikan ka hapur një faqe interneti të quajtur “Comey genjeshtari.com”, ku janë publikuar citime të kongresmenëve të njohur demokratë që kritikonin ish-kreun e Byrosë Federale të Hetimeve për punën e tij.
Gjithashtu, kongresmenët republikanë kanë paralajmëruar nisjen e një procesi verifikimi të materialeve që parashtrohen si fakte në librin e Comey. Në librin me titull “Një besnikëri më e lartë; të vërtetat, gënjeshtrat dhe lidershipi”, që pritet të dalë në libraritë amerikane më 17 Prill, Comey nuk i kursen kritikat për Trump. Nga ana e tij, kreu i shtetit ka reaguar në Twitter, duke e cilësuar ish-drejtorin e FBI-së një gënjeshtar të sprovuar, njeri të neveritshëm, pa këllqe dhe të pabesë.
“Thuajse të gjithë në Uashington mendonin se ai duhej shkarkuar për punën e tmerrshme që kishte bërë. Ishte nder për mua që e shkarkova! Ai nxorri informacione sekrete, gjë për të cilën duhet të ndiqet penalisht dhe gënjeu para Kongresit nën betim”, ka thënë Trump në Twitter.
Ndërkohë, një tjetër nismë ka ndërmarrë avokati personal i Trump, Michael Cohen, i cili po përpiqet të pengojë përdorimin e materialeve të gjetura nga FBI në zyrën e tij në kuadër të skandalit “Russiagate”./abcnews.al